Xherdan Shaqiri luajti për Bayernin nga viti 2012 deri në vitin 2015. Periudhën te Bayerni, futbollisti shqiptar e vlerëson të jashtëzakonshme.
Ai me Bayernin pati suksese të shumta.
“Bayerni ishte një kapitull i jashtëzakonshëm në karrierën time. Pata privilegjin të ndaja fushën me shokë të shkëlqyer të skuadrës”, ka thënë Shaqiri në një intervistë për “Kicker”.
“Dhe sigurisht, përveç trofeve tjerë, triumfi në Ligën e Kampionëve në vitin 2013 kundër Dortmundit ishte kulmi”.
Shaqiri ka treguar se fanella e tij e fundit te Bayerni, qëndron e varur mbi shtratin e tij, pranë fanellës së parë të bartur në Bundesligë.
“Liga e Kampionëve është arritja më e rëndësishme e futbollit në nivel klubesh. Prandaj, unë i veçoj arritjen në Ligën e Kampionëve me Bayernin dhe Liverpoolin në vitin 2019”, ka theksuar 33-vjeçari.
Shaqiri ka folur edhe për trajnerët që kanë pasur ndikim të madh në karrierën e tij. Ai e quajti Pep Guariolën, me të cilin punoi në Munih, si trajnerin më të mirë, veçanërisht në aspektin taktik. Përmendi po ashtu edhe ish-trajnerin e Bayernit, Ottmar Hitzfeld, i cili luajti rol të rëndësishëm si selektor i Zvicrës.
“Ai ishte ndoshta trajneri më i mirë që kam pasur ndonjëherë, personalisht”, ka theksuar Shaqiri.
Shaqiri, i cili është tërhequr nga përfaqësuesja e Zvicrës, është kthyer vjet te klubi ku u zhvillua, Baseli.
Të mërkurën Shaqiri do të kthehet në Gjermani për një natë. Ai dhe Baseli do të përballen me Freiburgun në Ligën e Evropës. Ndeshja nis në ora 21:00 dhe i takon xhiros së parë të fazës së ligës të garës së dytë të UEFA-s për nga niveli.
“Mendoj se mund ta quajmë një ndeshje midis miqsh dhe jo rivalitet. Baseli dhe Gjermania jugore janë të lidhur ngushtë”, theksoi Shaqiri.
Shaqiri me Baselin ka fituar katër tituj dhe tri Kupa.
Me Bayernin ka fituar tre tituj, dy Kupa e një Superkupë të Gjermanisë. Fitoi edhe Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.
Me Liverpoolin ka fituar një titull, një Superkupë dhe një Kupë të Botës për Klube.