Futboll

Kthimi jo i suksesshëm i Prishtinës në skenën evropiane

prishtina

Arritja në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës është suksesi më i madh i Prishtinës deri më tani

Pas katër vjetësh, Prishtina u kthye në gara kontinentale për klube futbolli. I luajti katër ndeshje, e humbi vetëm një në kohë të rregullt, por nuk e kaloi asnjë rreth garash. Pra nuk kishte paraqitje të suksesshme.

Si fituese e Kupës së Kosovës, Prishtina nisi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Në bazë të koeficientit të UEFA-s për klube, ishte skuadra e ranguar më së ulëti që garoi në raundin e parë të Ligës së Evropës. Nuk e kishte as fatin në short. U përball me skuadrën e madhe nga Moldavia, Sheriff Tiraspol, që ka përvojë të rëndësishme e të suksesshme edhe në gara evropiane. Në Tiraspol, më 10 korrik, ishte pa gjasa. Pësoi 4:0. Në ndeshjen e kthimit në “Fadil Vokrri”, në praninë e vetëm 1.320 shikuesve, skuadra e kaltër bëri paraqitje bindshëm më të mirë. Fitoi 2:1, por rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për të avancuar në Ligën e Evropës. U eliminua dhe u zhvendos në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

VIDEO: Pamje nga ndeshja Prishtina - Sheriff Tiraspol

Liga e Konferencës është niveli i tretë i garave evropiane për klube, ndërsa Liga e Evropës niveli i dytë.
Përballë Prishtinës ishte Larne. Të gjitha kushtet ishin që Prishtina ta eliminonte skuadrën nga Irlanda e Veriut. Ndeshja në Ballymena të Irlandës së Veriut përfundoi pa gola, ndërsa skuadra kosovare lëshoi raste të mira shënimi.

Në ndeshjen e kthimit, të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri” para 2.500 shikuesve, skuadra prishtinase hapi rrugën për kualifikim. Pas një gabimi të portierit të Larnes, që kapi me duar topin e kthyer nga bashkëlojtari, u dha goditje indirekte fare pranë portës. Gjelbrim Taipi bëri gjuajtje të saktë dhe shënoi për 1:0 që në minutën e dhjetë. Raste të tjera kishte Prishtina në pjesën e parë. Por nuk konkretizoi. 

Dhe përnjëherë kualifikimi ishte në rrezik. Pjesa e dytë ishte më e vështirë për fituesen e kupës së Kosovës. Larne realizoi në minutën e 56-të për 1:1 pas një pakujdesie të Prishtinës në mbrojtje. 

Talenti 16-vjeçar Rin Ahmeti ngjalli lojën pas aktivizimit. Bëri disa goditje të rrezikshme, ndërsa në fund e kishte edhe një driblim të suksesshëm, por jo edhe goditjen. 

VIDEO: Momentet më të mira nga ndeshja Prishtina - Larne 

Vazhdimet ishin shumë të zbehta, ndërsa në penallti më të saktë ishin lojtarët e Larnes. Kështu fushata evropiane e Prishtinës përfundoi që në korrik.

Në gjashtë paraqitje në gara kontinentale, Prishtina ka eliminuar skuadra inferiore si Europa nga Gjibraltari, Folgore nga Malta, Inter d’Escaldes nga Andorra dhe Connah Quay Nomads nga Uellsi. Ndërkohë është eliminuar nga Norrkopingu i Suedisë, Fola Esch e Luksemburgut, St Joseph’s i Gjibraltarit, Lincolni i Gjibraltarit (me rezultat zyrtar), Ferencvaroshi hungarez, Bodo/Glimti norvegjez, Sheriffi e Larne. Edhe disa prej këtyre skuadrave janë inferiore dhe nga liga shumë inferiore.

Arritja në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës është suksesi më i madh i Prishtinës deri më tani. Vlerësohet pak për një skuadër që pretendon vazhdimisht trofe në vend dhe që ka historinë më të pasur nga klubet e Kosovës.

VIDEO | Ndeshja e plotë: