Liridon Latifi të enjten mbrëma e realizoi njërin prej golave më të bukur në ndeshjet e plejofit për në Ligën e Evropës. Latifi në minutën e 35-të nga një distancë shumë e largët, e goditi topin në mënyrë të përkryer për barazimin e rezultatit në 1:1 ndaj Ludogoretsit. Shkëndija e Tetovës pas një ore lojë realizoi një tjetër gol me Besart Ibraimin, që u asistua nga Latifi. Dhe “kuqezinjtë” me përmbysje të rezultatit fituan 2:1 në ndeshjen e parë. Skuadra tetovare është 90 minuta larg arritjes historike – avancimit në fazën e ligës, në Ligën e Evropës.
Latifi të shtunën për KOHËN ka treguar se kishte besimin e plotë se ai top do të përfundonte në rrjetë.
“Kam besuar që topi do të përfundonte në portë nga momenti që e mora përgjegjësinë për ekzekutimin e asaj gjuajtjeje të lirë. Besimin e kam pasur maksimal”, ka treguar Latifi 31-vjeçar.
Futbollisti i krahut thotë se Shkëndija pavarësisht fitores, nuk e ka të sigurt Ligën e Evropës. Për ndeshjen kthyese pret lojë më agresive nga kundërshtarët.
“Gjysma e punës nuk mund të them se është bërë sepse përballë kemi një skuadër shumë, shumë të fortë siç është Ludogorets. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë në udhëtim. Mendoj se kundërshtari do të jetë shumë më agresiv dhe do të na shkaktojë shumë më shumë probleme. Ne do të bëjmë maksimumin. Do të punojmë gjatë javës që të arrijmë ta marrim atë që dëshirojmë”, është shprehur Latifi.
Latifi ka karrierë të pasur si futbollist. Ai ka luajtur për Flamurtarin, Prishtinën, Skënderbeun, Kukësin, Pushkashin hungarez, Sheriff Tiraspolin moldav, Vllazninë dhe Tiranën. Te Shkëndija është prej gushtit të vitit të kaluar, ndërsa kontrata i skadon në verën e vitit të ardhshëm. Ai ka arritur që me Skënderbeun e Korçës dy herë të jetë pjesë e fazës grupore të Ligës së Evropës. Ka edhe pesë paraqitje me Shqipërinë.
“Kam luajtur dy herë në grupet e Ligës së Evropës, jam futur dy herë në atë garë. Kam luajtur edhe për Kombëtaren. Ëndrra ime e parealizueshme për momentin është që të futemi sërish për herë të tretë në këtë garë. Por kjo nuk është e parealizueshme, është shumë afër. Shpresoj që ta arrijë”, është shprehur ai.
Liridon Latifi e ka nisur mirë sezonin. Ka shënuar edhe një gol në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Një gol e një asistim e ka edhe në kualifikimet e Ligës së Evropës. Synon edhe më shumë në këtë edicion.
Shkëndija e Tetovës në edicionin 2016-17 luajti në plejofin e Ligës së Evropës por humbi nga Genti.
Menjëherë në edicionin pasues u eliminua nga Milani, po në plejof. Në plejof u mposht edhe në edicionin 2018-19, nga Rosenborgu. Por në këtë sezon, Shkëndija e ka siguruar kalimin në fazën e ligës, në Ligën e Konferencës pasi i kaloi dy raunde kualifikuese të Championsit. E eliminoi TNS-në e Uellsit, dhe më pas FCSB-në rumune, para se të mposhtej nga Qarabagu në rrethin e tretë kualifikues.
Më pas u bart në plejofin e Ligës së Evropës, por të sigurt e ka Ligën e Konferencës. Megjithatë, synimi i Shkëndijës është kalimi në garën e dytë të UEFA-s për nga rëndësia – në Ligën e Evropës.