Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Lista më e rëndësishme e Kosovës publikohet më 20 mars

Kosova

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, më 20 mars do ta bëjë publike listën e lojtarëve për ndeshjen kundër Sllovakisë. Do të jetë lista më e rëndësishme e Fodës prejse është selektor i Kosovës.

Ndeshja Sllovaki – Kosovë luhet më 26 mars në Bratislavë. Është ndeshja gjysmëfinale e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fituesi i ndeshjes siguron finalen me Turqinë ose Rumaninë. Ndeshja finale luhet më 31 mars.

Në listën e selektorit Foda nuk pritet të ketë ndryshime nga listat e mëhershme. Kosovës tashmë zyrtarisht i mungon kapiteni Amir Rrahmani i lënduar.

“Dardanëve” nuk mund t’u grumbullohet as sulmuesi i Rubin Kazanit, Dardan Shabanhaxhaj, po ashtu i lënduar. Shabanhaxhaj kishte marrë ftesë nga Foda për ndeshjen ndaj sllovakëve. Por për shkak të lëndimit nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së trajnerit gjerman, Foda. Ish-futbollisti i Austrisë U21 parashihet të kthehet më 4 prill nga lëndimi. 

Drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se vendimet i merr selektori Foda.
“Dardanin e kemi përcjellë gjatë, po ashtu edhe kontaktet kanë ekzistuar prej kohësh. Nuk ka lojtarë që nuk e kemi përcjellë dhe kemi vënë kontakte. Por për afrimet vendos selektori Foda. Lista publikohet të premten dhe aty do të dihen lojtarët që do të jenë për grumbullimin e këtij muaji. Sigurisht që do të jenë lojtarët që janë në formën më të mirë. Tashmë dihet që mungesa e madhe do të jetë e kapitenit Amir Rrahmani”, ka thënë Sahiti për KOHËN të enjten.

Te Kosova presim të sigurojnë finalen që do të luhej në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Sahiti ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë ndryshime. Në formacionin startues do të kthehen mbrojtësi Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu. Të dy lojtarët u pushuan për ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, kundër Zvicrës shkaku i kartonëve. 

“Ndeshja kundër Sllovakisë është shumë e rëndësishme. Nuk ka ndeshje më të rëndësishme se kjo. Atmosfera është e mirë dhe të gjithë jemi të mobilizuar për të dalë fitues ndaj sllovakëve. Kemi edhe përkrahjen e shikuesve. Kemi kontakt me njerëz që janë në diasporë që kanë shprehur interesimin për të qenë në stadium për të përkrahur Kosovën në këtë ndeshje të rëndësishme. Uroj t’i kemi në formë të mirë të gjithë lojtarët që do të jenë pjesë e grumbullimit dhe ta mbyllim ndeshjen në favorin tonë”, ka theksuar Sahiti.

Kosova nis grumbullimin më 23 mars për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Nëse fiton ndaj sllovakëve, Kosova ndeshjen finale të plejofit e luan më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Turqisë ose Rumanisë.