Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Kampioni i Kosovës në futboll, Drita ka humbur 3:2 nga Celje në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës, pasi pranoi gol në minutën e 94-t. Celje kaloi në epërsi prej dy golash fillimisht, por Krasniqi dhe Balaj barazuan 2:2. Poplatnik shënoi golin e fitores për mysafirët në “Fadil Vokrri”. Ndeshja e kthimit luhet më 26 shkurt në Celje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Krasniqi: Gjithçka është e hapur

1 muaj më parë / 19 shk 2026 23:32
Blerim Krasniqi

Blerim Krasniqi e shënoi golin për 2:1 në ndeshjen që Drita e humbi 3:2 në shtëpi nga Celje të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”. 

Ishte ndeshja e parë e plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës. 

Krasniqi theksoi se ndeshja është e hapur dhe gjithçka mund të ndodh në duelin kthyes pas një jave. 

“Besoj që pjesa e parë ishte pak e vështirë. Më pas shënuam dy gola. Shpresoj që ta provojmë përsëri. Edhe kur ishte rezultati 0:2 dukej vështirë, por nuk u dorëzuam dhe provuam deri në fund. Shënuam dy gola. Na ndëshkuan me një aksion në fund. E njohim tani kundërshtarin dhe i dimë pikat e forta dhe të dobëta. Do ta analizojmë pjesën ku kemi gabuar dhe ku kemi bërë mirë. Por besoj se gjithçka është e hapur”, deklaroi Krasniqi pas ndeshjes.

Ramadani: Drita nuk dorëzohet

1 muaj më parë / 19 shk 2026 23:29
Zekirja Ramadani

Trajneri Zekirija Ramadani ka thënë se Drita nuk dorëzohet asnjëherë, dhe nuk do të dorëzohet deri sa të përfundojë edhe dueli kthyes. 

Drita u mposht të enjten mbrëma 3:2 nga Celje në Prishtinë, në ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës. 

“Mos të harrojmë që Drita është kampione aktuale dhe kampionia nuk dorëzohet asnjëherë. Karakteri i lojtarëve është shumë i fortë. Ishim të kujdesshëm që të mos lejojmë kundërshtarin të krijojë ndonjë rast. Golat erdhën nga goditjet nga këndi. Por kjo u ndodh edhe skuadrave të mëdha. Për t’u përshëndetur është guximi në pjesën e dytë. Kjo u shpërblye. Në pjesën e dytë kishim paraqitje të mirë, edhe pas rezultatit 2:2 kishim rast të mirë. Por kjo na jep motiv për ndeshjen e dytë. Duhet të jemi më të guximshëm dhe të marrim rrezik më të madh. Duhet besuar sepse mund ta dërgojmë ndeshjen edhe në vazhdime dhe të fitojmë”, tha fillimisht pas ndeshjes trajneri shkupjan. 

Ai tha se në fund të pjesës së parë ka biseduar me ndihmësit se çfarë duhet bërë në pjesën e dytë. Drita në pjesën e dytë shënoi dy gola dhe e barazoi rezultatin, por më pas pranoi gol në fund dhe u mposht 3:2. 

“Ajo ulja ime nuk ishte nga dorëzimi se nuk di të dorëzohem. Kam pasur sfida të rënda dhe nuk jam dorëzuar. Mendova se çfarë të bëj për pjesën e dytë. Bashkë me ndihmësit kemi diskutuar sepse ishin 3-4 minutat e fundit të pjesës së parë. Menduam se çfarë të bëjmë”, vazhdoi tutje Ramadani, ndërsa foli edhe për ndeshjen kthyese.

Ka theksuar se Drita beson në avancim tutje. 

“Derisa besuam nga 0:2 dhe loja përfundoj në 2:3, kjo tregon se besojmë. Deri në fund ishim agresiv dhe kishim mundësi në disa gjysmë raste. Ndoshta nuk kishim shumë fat, shpresoj fatin ta kemi në ndeshjen kthyese. Shpresoj që ekipi do të shfaqet edhe më i rrezikshëm”, deklaroi Ramadani.

Milot Avdyli për fishkëllimat: I kuptoj tifozët

1 muaj më parë / 19 shk 2026 23:25
Milot Avdyli

Futbollisti i Celjes, Milot Avdyli, është fishkëllyer në disa raste nga një numër i vogël i shikuesve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Avdyli shënoi golin e dytë në fitoren 3:2 të Celjes ndaj Dritës.

“I kuptoj tifozët. Kam qenë shqitari i vetmë. E kam ditur se do të fishkëllehem. Më ka folur edhe trajneri dhe gjithë lojtarët më kanë mbështetur”, ka thënë Avdyli.  

Për Avdylin goli ndaj Dritës ishte i pari me fanellën e Celjes.

“Është goli i parë me Celjen dhe është dyfish më i mirë”, është shprehur Avdyli. 

Ai ka thënë se paraqitja në Prishtinë ishte e veçantë.

“Kam pasur dëshirë të kthehem në vendin ku jam rritur dhe kam luajtur 18 vite. Kam pasur dëshirë të më shoh familja nga afër. Ka qenë një ndeshje speciale. Ka qenë ndjenjë e mirë të fitosh pas dy humbje”, ka theksuar Avdyli.

Avdyli më herët ka qenë kapiten i Kosovës U21 në futboll.

Balaj shpreson në fitore në ndeshjen kthyese

1 muaj më parë / 19 shk 2026 23:21
Liridon Balaj

Liridon Balaj i Dritës, i cili shënoi gol dhe asistoi në një tjetër në disfatën 3:2 në shtëpi nga Celje, tha pas ndeshjes se Drita do ta kërkojë fitoren në duelin kthyes. 

Ai ka thënë se do të jetë vështirë, por jo mision i pamundur. 

“Besoj se bëmë një pjesë të dytë mjaftë të mirë. Nuk e nisëm mirë pjesën e parë, por në pjesën të dytë ishim më mirë. Bëmë presion dhe barazuam rezultatin. Rezultati real do të ishte barazimi. Është edhe ndeshja kthyese dhe do të shkojmë me të gjitha forcat dhe të provojmë ta fitojmë ndeshjen. Besoj se atë që e bëmë në pjesën e dytë ta bëjmë edhe në ndeshjen kthyese dhe të marrim rezultat pozitiv”, deklaroi Balaj.

Drita humb me gol të minutave shtesë

1 muaj më parë / 19 shk 2026 22:54
Celje - Milot Avdyli

Ndonëse ia doli ta barazonte rezultatin në 2:2, Drita e Gjilanit, humbi 3:2 ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konfernecës.

Kampionia e Kosovës e pësoi në minutën e 94-t golin e disfatës 3:2.

Matej Poplatnik realizoi golin që ia siguroi Celjes fitoren në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në praninë e një numri të vogël shikuesish në tribuna. 

Ndeshja Drita – Celje u zhvillua të enjten mbrëma. Ishte ndeshja e parë e plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës.

Golin e epërsisë 1:0 e shënoi në minutën e 19-të nëpërmjet Armandas Kucys.

Për 2:0 realizoi ish-kapiteni i Kosovës U21, Milot Avdyli.

Drita u kthye në pjesën e dytë pas inkuadrimit të Blerim Krasniqit dhe Liridon Balajt. Të dy lojtarët shënuan nga një gol.

Krasniqi shënoi golin për 2:1 në minutën e 59-të me asistim të Liridon Balajt, i cili shënoi në minutën e 75-të golin e barazimit 2:2.

Ndeshja e kthimit luhet më 26 shkurt në Celje. 

Para se Celje t’i shënonte dy golat e parë, Drita pati dy raste të mira shënimi nëpërmjet Kristal Abazajt në minutën e gjashtë dhe në minutën e dhjetë nëpërmjet Albert Dabiqajt. Kishte edhe raste tjera shënimi, por në fund fitorja u takoi mysafirëve.

Barazon Drita

1 muaj më parë / 19 shk 2026 22:32
Barazon Drita

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, është rikthyer në lojë pas disavantazhit 2:0. 

Fillimisht shënoi golin për 2:1 në minutën e 59-të nëpërmjet Blerim Krasniqit me asistim të Liridion Balajt, i cili shënoi golin e barazimit 2:2 në minutën e 75-të.

Drita ngushton rezultatin në 2:1

1 muaj më parë / 19 shk 2026 22:17
Drita ngushton rezultatin në 2:1

Drita ka shënuar gol ndaj Celjes. Golin për 2:1 e shënoi me kokë Blerim Krasniqi. Ai realizoi në minutën e 59-të. 

Liridon Balaj harkoi për Krasniqin që shënoi nga afërsia. 

Të dy lojtarë u inkuadruan në pjesën e dytë.

Celje dyfishon epërsinë me Milot Avdylin

1 muaj më parë / 19 shk 2026 21:43
Celje - Milot Avdyli

Celje e ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Dritës. Realizoi Milot Avdyli, ish-kapiten i Kosovës U21.

Anësori 23-vjeçar shënoi në minutën e 42-të për 2:0.

Sërish Celje shënoi pas rrëmujës së shkaktuar te zona e Dritës nga rivënia këndore.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

 

Celje kalon në epërsi

1 muaj më parë / 19 shk 2026 21:19
Celje kalon në epërsi

Gjiganti slloven, Celje ka kaluar në epërsi në minutën e 19-të. Armandas Kucys realizoi për 1:0.

Ishte rasti i parë për mysafirët.

Ai realizoi pas një rrëmuje në zonën e Dritës pas rivënies nga këndi.

Drita lëshon raste të mira në fillim të ndeshjes

1 muaj më parë / 19 shk 2026 21:12
Drita lëshon raste të mira në fillim të ndeshjes

Drita ka humbur dy raste të mira për gol në fillim të ndeshjes me Celjen.

Fillimisht në minutën e gjashtë rastin për gol nuk e konkretizoi Kristal Abazaj.

Ndërkaq katër minuta më pas, gjuajtjen e Albert Dabiqajt e priti me gjoks portieri i Celjes.

Mbetet 0:0.

Në ndeshjen e rëndësishme në Evropë, Dritës i mungon përkrahja nga tribunat

1 muaj më parë / 19 shk 2026 21:08
Në ndeshjen e rëndësishme në Evropë, Dritës i mungon përkrahja nga tribunat

Edhe pse po luan ndeshjen më të rëndësishme deri tash, Drita po luan përballë Celjes në Ligën e Konferencës në prani të vogël të shikuesve.

Takimi po luhet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Edhe pse është ndeshja e nivelit më të lartë që ka luajtur ndonjëherë një klub kosovar në futboll, pamjet tregojnë mungesën e tifozëve.

Publikohet formacioni i Dritës ndaj Celjes

1 muaj më parë / 19 shk 2026 19:55
Drita

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e ka publikuar formacionin për ndeshjen kundër Celjes së Sllovenisë.

Ndeshja nis në ora 21:00 dhe i takon plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës. Është ndeshja e parë dhe luhet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kristal Abazaj i prin sulmit të Dritës, kurse do të mbështet nga Almir Ajzeraj, Veton Tusha dhe Kemehlo Ngauena.

Vesel Limaj dhe Albert Dabiqaj do të paraqiten në qendër të mesfushës, kurse katërshja e mbojtjes përbëhet nga kapiteni Besnik Krasniqi, Ekzon Bejtullai, Jorgo Pëllumbi dhe Raddy Ovouka.

Në portë është Faton Maloku.