Kosova e Zvicra luajtën 1:1 në “Fadil Vokrri” dhe i mbajtën pozitat në tabelë që i kishin para ndeshjes të së martës mbrëma.

Ashtu si pritej, Zvicra u kualifikua në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, ndërsa Kosova do të luajë në plejofin për kualifikim në Botëror. Për Zvicrën është vetëm kualifikimi i radhës në një ngjarje të madhe futbolli. Për Kosovën është sukses historik – për herë të parë do të luajë në plejof për kualifikim në Botëror.

Kishte zhvillime interesante e të papritura në ndeshjen e zhvilluar në fushën e rrëshqitshme e të vështirë në stadiumin në Prishtinë.

Pa nisur ndeshja u ndezën fishekzjarrë, me gjasë për suksesin e Kosovës në kampanjën kualifikuese. Ishte shenjë që kualifikimi në plejof vlerësohej sukses maksimal dhe realizim i synimeve. Për kualifikim direkt në Botëror, Kosovës të martën i duhej fitorja 6:0. Por një rezultat i tillë nuk ishte as afër.

Pak pasi nisi ndeshja nisën fishkëllimat e tifozëve. Dhe ato u dëgjuan sa herë që kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, e kishte topin në pronësi. Dukej të ishte reagim i tifozëve për një deklaratë të Xhakës lidhur me vendimin e Leon Avdullahut e Albian Hajdarit për të luajtur për Kosovën. Xhaka kishte thënë se Hajdari e Avdullahu nuk ishin pranë ekipit startues të Zvicrës. Deklarata u interpretua në mënyra të ndryshme dhe solli revoltë te tifozët e Kosovës.

Avdullahu e Hajdari nuk ishin në fushë e madje as në stolin e rezervistëve. Selektori Franco Foda i la të lirë, pasi rrezikonin që me kartonë të tjerë të mungonin në plejofin për kualifikim në Botëror, që zhvillohet në mars.

Fishkëllimat ndaj Xhakës ishin thuajse zhvillimi i vetëm në pjesën e parë. Veldin Hoxha kishte një goditje pak të rrezikshme për Kosovën, ndërsa Vedat Muriqi kishte një goditje të pasaktë me kokë. Zviceranët provuan vetëm në minutat e parë, duke shfrytëzuar rrëshqitjen e lojtarëve të Kosovës.

Rezultati mbeti 0:0.

Ai ndryshoi me të nisur pjesa e dytë.

Ruben Vargas e kaloi Zvicrën në epërsi 1:0 që në minutën e 47-të.

Në minutën e 63-të Baton Zabërgja u aktivizua në vend të Veldin Hoxhës, ndërsa Edon Zhegrova në vend të Fisnik Asllanit. Më pas rastin e fitoi edhe Ilir Krasniqi, që në minutën e 71-të e zëvendësoi kapitenin Amir Rrahmani.

Dhe në minutën e 74-t rezultati u barazua në 1:1. Florent Muslija shënoi me gjuajtje mjeshtërore nga distanca.

Kosova më pas e kërkoi golin e fitores, por pa ia dalë.

Te Zvicra u aktivizua edhe Andi Zeqiri, që po ashtu u fishkëllye nga tifozët.

Zvicra e fitoi Grupin B me 14 pikë dhe mund të fillojë me përgatitje për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. Kosova e përfundoi garën në grup me 11 pikë në pozitën e dytë. Tani e pret me shumë interes shortin e plejofit që tërhiqet të enjten nga ora 13:00. Më 26 mars do ta luajë në gjysmëfinale të plejofit, ndërsa shpresat janë se do të sigurohet finalja e plejofit, që zhvillohet më 31 mars. Vetëm katër përfaqësueset që fitojnë finalet e plejofit do të kualifikohen në Botëror.

Xhaka: Fishkëllimat në shtëpi janë gjëja e fundit që kam pritur, dhemb

3 j. më parë / 18 nën 2025 23:30
Granit Xhaka

“Blick” ka publikuar një tekst për fishkëllimat ndaj Granit Xhakës të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”.

Gazeta e madhe zvicerane ka shkruar se fillimisht ndaj Xhakës kishte duartrokitje e më pas fishkëllima. Fishkëllimat ishin lidhur me deklaratën e tij për Leon Avdullahun e Albian Hajdarin, përkatësisht për vendimin e tyre për të luajtur për Kosovën.

Xhaka pas ndeshjes së Kosovës me Zvicrën ka folur për fishkëllimat. Ai u deklarua për televizionin zviceran, SRF.

“Fishkëllimat janë gjëja e fundit që kam pritur, sidomos këtu në shtëpi”, ka thënë Xhaka.

“Dhemb, të jem i sinqertë. Por më duhet ta pranoj këtë. Nuk e kam pritur këtë, por është pjesë e lojës. Çdo gjë është në rregull”.

Gallapeni: Dëshmuam se jemi skuadër e fortë

3 j. më parë / 18 nën 2025 23:23
Dion Gallapeni

Mbrojtësi Dion Gallapeni ka thënë se Kosova ka dëshmuar se është skuadër e fortë.

“Ndjenjë e jashtëzakonshme të luash për Kombëtaren e Kosovës. Sot kemi dëshmuar që jemi skuadër e fortë. Kemi arritur sukses historik me kualifikimin në plejof.  Është një formacion me tre mbrapa, që ka dy anët, ofanzive dhe defanzive. Është formacion që më pëlqen shumë.  Rasti im është motiv edhe për lojtarët tjerë, që nga liga e Kosovës mund të arrijnë gjëra të mëdha”, ka thënë ai.

Zhegrova: Besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit për t’u kualifikuar në Botëror.

3 j. më parë / 18 nën 2025 23:21
Edon Zhegrova

Edon Zhegrova është shprehur optimist se mund t’ia arrijnë qëllimit për t’u kualifikuar në Botëror.

“Është kënaqësi që jemi kualifikuar në plejof. Është një hap, por hapi tjetër janë dy ndeshjet e radhës. Me ekipin që kemi besojmë se do t’ia arrijmë. Është nder i veçantë kur luaj për vendin tim. E kam pasur gjithnjë përkrahjen e tifozëve. Është ëndërr të jesh pjesë e Juventusit, më mbetet shumë punë. Për momentin po ndihem shumë mirë. Jam 100 për qind. Edhe klubi e di. Më mbetet të vazhdojë të punojë edhe më shumë”, ka thënë ai.

Muriqi shpreson të shkruhet sërish historia në mars

3 j. më parë / 18 nën 2025 23:17
Vedat Muriqi

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është plot shpresa që në mars mund të shkruhet sërish historia dhe të kualifikohemi në Botëror.

“Ishte një ndeshje e vështirë. Sot prej mëngjesit shiu nuk është ndalur. Dua të falënderoj në emër të ekipit tifozët. Stadiumi ishte plot. I falënderoj tifozët që na kanë përkrahur gjithë kohën. I urojmë edhe ata për plejofin. Për ne ishte e rëndësishme të mbajmë rezultatet pozitive. Jemi të lumtur dhe tani e presim marsin. Humbja e thellë në Zvicër na kthjelli. Më pas e ndërruam edhe taktikën dhe mentalitetin. Ekipi e pa qartë që nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë sukses kundër çdo ekipi. Vendi i dytë dhe plejofi është sukses historik dhe shumë i madh. Shpresoj të mos ndalemi këtu. Urojmë të mos kemi lëndime në katër muajt e ardhshëm. Mezi e presim marsin dhe shpresojmë të shkruajmë tutje histori. Jam shumë i lumtur për Fisnik Asllanin e Albion Rrahmanin. Unë u dëshiroj shumë suksese. Po e përsëris, ata dy do të bëjnë që të harrohet emri im, me paraqitje, me gola”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes me Zvicrën.

Muslija: Tash e kemi plejofin, shpresojmë të kemi fat

3 j. më parë / 18 nën 2025 23:10
Florent Muslija

Një nga lojtarët më në formë të Kosovës, Florent Muslija, ka thënë se fokusi tani është te plejofi për Botërorin 2026, ku shpresojnë të kenë fat.

Muslija ishte golashënuesi i Kosovës në barazimin 1:1 ndaj Zvicrës.

“E rëndësishme që nuk jemi mposhtur nga Zvicra. Kemi dëshmuar që mund të luajmë kundër Zvicrës. Jam shumë i lumtur. Është shumë motivuese që nuk kemi humbur nga Zvicra. Tani e kemi plejofin në mars dhe shpresojmë të kemi fat. Kemi treguar veten si Kombëtare. Të gjithë kemi dhënë maksimumin. E kemi merituar vendin që e kemi. Besojmë se mund të arrijmë ende. E kam vetëbesimin, e di që mund të luajë dhe të ndihmoj ekipin”, ka thënë ai.

Asllani: E presim me padurim marsin që ta sigurojmë Botërorin

3 j. më parë / 18 nën 2025 23:07
Kosove-Slloveni

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, është ndarë shumë i kënaqur me barazimin ndaj Zvicrës. 

Kosova barazoi 1:1 në “Fadil Vokrri” me Zvicrën në ndeshjen e fundit të fazës grupore të eliminatoreve për Botërorin 2026. Kosova përfundoi e dyta në grup dhe do të luajë në plejof. 

“Jam shumë i lumtur. I tërë ekipi ka bërë punë shumë të mirë. Jemi shumë krenarë, kemi arritur një sukses të rëndësishëm. Do të kthehem te klubi, do të jap maksimumin. Dua të shënoj më shumë, të asistojë dhe do të shohim për transferim kur të vije koha. Në kualifikime jemi paraqitur shumë mirë. Mezi e presim marsin dhe të sigurojmë Botërorin”, ka thënë Asllani. 
 

Vojvoda: Patëm dëshirë të tregonim se jemi në të njëjtin nivel me Zvicrën

3 j. më parë / 18 nën 2025 23:04
Mërgim Vojvoda

Mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka thënë se sonte patën dëshirë të tregonin se janë në të njëjtin nivel me Zvicrën, pas barazimit 1:1.

“Besoj se kemi pasur shumë dëshirë të tregojmë që jemi në të njëjtin nivel me Zvicrën, ndonëse është Kombëtare shumë e fortë. E meritojmë pozitën ku jemi. Trajneri ka gjetur një formacion të mirë. Po i përshtatet të gjithë lojtarëve dhe të gjithë kemi dëshmuar se mund të japim kontribut.  Po mundohemi të përfaqësojmë sa më mirë Kosovën. Sa më shumë që luajmë në liga të mëdha, është më e rëndësishme për Kombëtaren. Ka ende hapësirë që të përparojmë”, ka thënë Vojvoda.

Xhaka flet për fishkëllimat, tregon a u befasua

3 j. më parë / 18 nën 2025 22:59
Granit Xhaka

Granit Xhaka ka folur për fishkëllimat që iu bënë në “Fadil Vokrri” nga tifozët e Kosovës.

Ai ka thënë se është befasuar.

“Jam i befasuar që jam fishkëllyer. Dhemb, por më duhet ta pranoj atë. Mundohem të koncentrohem vetëm në futboll. Për fat të keq është pjesë e lojës. Gjithnjë kam pasur përkrahjen e tifozëve të Zvicrës, pavarësisht nëse kemi luajtur në shtëpi apo në udhëtim”, ka thënë Xhaka.

Zvicra me barazimin 1:1 u kualifikua në Botërorin 2026.

“Të gjithë që ishin këtu mund të jenë krenarë. Nuk është diçka që mund ta marrësh të sigurt. Jemi kualifikuar për ngjarje të mëdha për herë të tetë rresht. Ishte e rëndësi për ne që kosovarët nuk e morën me vete euforinë. Mentalisht është ende e rrezikshme duke e ditur që nuk lejohet të pranosh gjashtë gola. Ishim dominantë në pjesën e parë dhe deri te goli. Dhe natyrisht, Kosova u kthye. Në përgjithësi kishim një kampanjë të mirë”, ka theksuar Xhaka.

Dihen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në plejof

3 j. më parë / 18 nën 2025 22:57
Kosova

Kosova do të përballet me Poloninë, Uellsin, Çekinë apo Sllovakinë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror.

Këto katër përfaqësuese janë në vazon e dytë për shortin e së enjtes.

Në vazon e tretë janë Irlanda, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.

Gjysmëfinalet janë më 26 mars, ndërsa Kosova do të jetë mysafire.

Në gjysmëfinale do të takohen edhe përfaqësueset e vazos së parë me ato të vazos së katërt.

Në vazon e parë janë Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina. Në vazon e katërt janë Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut.

Finalet e plejofit janë më 31 mars.

Fituesit e gjysmëfinaleve nga vazot dy e tre takohen me fituesit e gjysmëfinaleve nga vazot një e katër.

Nikoqirët e finaleve të plejofit do të përcaktohen me short.

Supergol nga Muslija, barazon Kosova

3 j. më parë / 18 nën 2025 22:21
Florent Muslija

Florent Muslija ka shënuar supergol për barazimin e rezultatit në 1:1 në ndeshjen e Kosovës me Zvicrën. 

Muslija shënoi me goditje mjeshtërore në minutën e 74-t.

VIDEO:

Fishkëllima edhe për Zeqirin

3 j. më parë / 18 nën 2025 22:17
andi

Foto: Getty

Tifozët në “Fadil Vokrri” pos Granit Xhakën e kanë fishkëllyer edhe Andi Zeqirin.

Zeqiri është aktivizuar si zëvendësues. Dhe me t’u përmendur emri i tij nga spikeri zyrtar, kanë nisur fishkëllimat. 

Më herët në pjesën e dytë ka pasur edhe thirrje “Xhaka, Xhaka”, si përgjigje ndaj fishkëllimave të vazhdueshme ndaj mesfushorit.

Zvicra kalon në epërsi

3 j. më parë / 18 nën 2025 21:54
Zvicra

Zvicra ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Kosovës. Ruben Vargas shënoi në minutën e 47-të.

Pa gola në “Fadil Vokrri”

3 j. më parë / 18 nën 2025 21:38
Kosova

Ka përfunduar pjesa e parë pa gola në mes të Kosovës dhe Zvicrës në “Fadil Vokrri”.

Ndeshja po shkon e baraspeshuar.

Kosova pati raste në fund të pjesës së parë.

Dy raste për Kosovën

3 j. më parë / 18 nën 2025 21:29
kosova

Kosova ka nisur të shfaqet e rrezikshme në ndeshje me Zvicrën.

Në minutën e 37-të gjuajtja e Veldin Hoxhës nuk ishte sa duhet e fortë.

Një minutë më pas Vedat Muriqi nuk gjuajti saktë me kokë.  Rezultati mbetet 0:0.

Xhaka fishkëllehet në “Fadil Vokrri”

3 j. më parë / 18 nën 2025 21:04
Granit Xhaka

Granit Xhaka po përcillet me fishkëllima sa herë që prek topin në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Një pjesë e tifozëve të Kosovës dëgjohen vazhdimisht duke e fishkëllyer kapitenin e Zvicrës.

Teksa po zhvillohet minuta e 20-të e ndeshjes, rezultati është 0:0.

Foda i përmbahet sistemit të njëjtë, bën ndryshime në formacion

3 j. më parë / 18 nën 2025 19:16
Kosova

Kosova nuk do ta ndryshojë sistemin për ndeshjen ndaj Zvicrës, ndonëse Franco Foda ka bërë ndryshime në formacion.

Ai ka kursyer Albian Hajdarin në mbrojtje dhe Leon Avdullahun në mesfushë.

Në vend të Hajdarit do të luajë  Fidan Aliti, ndërsa në vend të Avdullahut paraqitet Veldin Hoxha.

Aro Muriq kthehet në portë.

Kosova do të paraqitet me sistemin 5-3-2, njëjtë si në ndeshjet e fundit.

Sulmin e udhëheqin Vedat Muriqi e Fisnik Asllani.