Dramë e pabesueshme në Champions, portieri shënon në minutën e 98-të për kualifikimin e Benficas
Në mënyrën më dramatike të mundshme ka përfunduar faza e ligës në Champions.
Portieri i Benficas, Anatoliy Trubin ka shënuar golin për fitoren 4:2 të Benficas ndaj Real Madridit. Dhe falë golit të tij në minutën e 98-të, Benfica e Jose Mourinhos ka bërë vend në plejof të Championsit.
Me 3:2 Benfica nuk avanconte për shkak të goldallimit. Por në aksionin e fundit Trubin u hodh në sulm dhe goditi saktë me kokë për fitoren dhe kualifikimin e pabesueshëm.
Benfica avancon nga pozita e 24-t dhe e fundit e mundshme. I mblodhi nëntë pikë. Marseille ishte i kualifikuar deri në minutën e fundit të ndeshjes në Portugali, por eliminohet. Edhe Marseille i ka nëntë pikë, por goldallim për një gol më të keq se Benfica. Me nga nëntë pikë nuk kanë avancuar as Pafosi dhe Royale Union.
Ndërkohë Real Madridi ka përfunduar në vendin e nëntë dhe vazhdon në plejof.
Andreas Schjelderup i shënoi dy gola për Benfican, ndërsa një e realizoi Vangelis Pavlidis. Dy golat për Madridin i shënoi Kylian Mbappe.
Direkt në një të tetën e finales së Championsit janë kualifikuar Arsenali, Bayerni, Liverpooli, Tottenhami, Barcelona, Chelsea, Sportingu dhe Manchester City.
Në plejof do të luajnë Real Madridi, Interi, PSG-ja, Newcastle, Juventusi, Atletico Madridi, Atalanta, Bayer Leverkuseni, Borussia Dortmundi, Olympiacosi, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabagu, Bodo/Glimti e Benfica.
Në fazën e ligës ndalen Marseille, Pafosi, Royale Unioni, PSV-ja, Athletic Bilbao, Napoli, Copenhageni, Ajaxi, Eintracht Frankfurti, Slavia Praga, Villarreali dhe Kairat Almaty.
Befasia më e madhe vlerësohet eliminimi i kampionit të Italisë, Napolit, që në fazën e ligës. Napoli të mërkurën pësoi në shtëpi nga Chelsea, 3:2.
Kampioni në fuqi, PSG, do të paraqitet në plejof. Arsenali ishte ekipi i vetëm që i fitoi të gjitha tetë ndeshjet e fazës së ligës.
Interi në plejofin e fazës nokaut pas fitores ndaj Dortmundit
Interi fitoi në udhëtim te Dortmundi në ndeshjen e fundit të fazës së ligës në Champions dhe avancoi në plejofin e fazës nokaut nga pozita e dhjetë me 15 pikë.
Interi të mërkurën mbrëma fitoi 2:0.
Federico Dimarco nga gjuajtja e lirë realizoi për 1:0 në minutën e 81-të, ndërsa Andy Diouf e realizoi golin e qetësisë në minutën e 94-t.
Edhe Dortmundi ka avancuar tutje me 11 pikë nga pozita e 17-të.
Juventusi barazon pa gola me Monacon
Juventusi ka barazuar pa gola në udhëtim te Monaco të mërkurën mbrëma, në ndeshjen e fundit të fazës së ligës në Champions.
Te “zonja e vjetër” nga minuta e 73-të luajti Edon Zhegrova, futbollisti i Kosovës.
Rezultati nuk ndryshoi, ndërsa si Juventusi ashtu edhe Monaco, avancuan në plejofin e fazës nokaut.
Juventusi u rendit i 13-ti me 13 pikë, ndërsa Monaco e 21-ta me 10 pikë.
Kane ia siguron Bayernit fitoren e shtatë
PSV-ja u eliminua pasi përfundoi në vendin e 27-të me tetë pikë.
Tri golat u shënuan në pjesën e dytë.
Jamal Musiala në minutën e 58-të dhe Harry Kane në minutën e 84-t i shënuan golat për Bayernin, kurse Ismael Saibari në minutën e 78-të shënoi për PSV-në.
Barcelona avancon në 1/8 e finales së Championsit
Barcelona ishte duke humbur nga Copenhageni në shtëpi pas pjesës së parë. Viktor Dadason shënoi që në minutën e katërt për skuadrën daneze.
Por, Barcelona u kthye në pjesën e dytë me katër gola dhe e fitoi në fund 4:1 ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt të Championsit. Me këtë fitore, Barcelona ka siguruar edhe kalimin direkt në 1/8 e finales.
Robert Lewandowski, Lamine Yamal, Raphinha nga penalltia dhe Marcus Rashford nga gjuajtja e lirë, i shënuan golat e fitores. Golin e fundit në ndeshje e shënoi Gabriel Pereira i mysafirëve, por që u anulua për pozitë jashtë loje.
Barcleona avancon tutje nga vendi i pestë me 16 pikë.
Copenhageni eliminohet pasi grumbulloi vetëm tetë pikë dhe përfundoi në vendin e 31-të.
City siguron direkt kalimin në 1/8 e finales në Champions
Manchester City ka siguruar direkt kalimin në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve.
City mposhti Galatasarayn në shtëpi me rezultat 2:0.
City siguroi kalimin tutje falë dy golave në pjesën e parë.
Golin e parë e shënoi sulmuesi norvegjez, Erling Haaland në minutën e 11-të, kurse të dytin Rayan Cherki në minutën e 29-të.
City e përfundoi fazën e ligës në pozitën e tetë me 16 pikë, kurse Galatasaray në venin e 20-të me 10 pikë. Galatasaray do të paraqitet në plejofin e fazës nokaut të Championsit.
Fituesi i Championsit mbetet jashtë tetëshes së parë
Fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, ka mbetur jashtë tetëshes së parë që siguron kalimin direkt në një të tetën e finales. Kalimin tutje PSG-ja do ta kërkojë nëpërmjet plejofit të fazës nokaut të Championsit.
Parisi të mërkurën barazoi 1:1 me Newcastlen, që po ashtu do të paraqitet në plejofin e fazës nokaut, pasi zë vendin e 11-të me 14 pikë sa ka edhe PSG.
Vitinha shënoi golin e epërsisë 1:0 në minutën e tetë, ndërsa në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Newcastle barazoi shifrat në 1:1, rezultat me të cilin përfundoi takimi.
Joe Willock shënoi golin e barazimi 1:1.
Liverpooli fiton thellë dhe avancon direkt në 1/8 e finales
Liverpooli ka fituar thellë 6:0 të mërkurën mbrëma ndaj Qarabagut dhe ka avancuar direkt në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.
“Të kuqtë” e siguruan këtë fazë të garës me 18 pikë në tetë ndeshje.
Të mërkurën mbrëma në “Anfield”, golat e fitores i shënuan Alexis Mac Allister dhe Florian Wirtz në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë realizuan edhe Mohamed Salah, Hugo Ekitike, ndërsa tjetër gol realizoi mesfushori Mac Allister.
Golin e fundit në ballafaqim e realizoi Federico Chiesa, në minutën e 90-të.
Qarabagu me 10 pikë në vendin e 22-të e siguroi plejofin e fazës nokaut.
Napoli mposhtet nga Chelsea dhe eliminohet
Kampioni i Italisë, Napoli, është ndalur në fazën e ligës në Champions.
Të mërkurën në “Diego Maradona”, Napoli pësoi 3:2 nga Chelsa në kuadër të xhiros së fundit të Ligës së Kampionëve. Dhe kjo humbje bëri që Napoli të mos avancojë në fazën nokaut.
Napoli, që po përballej me mungesa të shumta, kishte epërsi 2:1 në pjesën e parë. Por Joao Pedro shënoi në minutën e 61-të dhe të 82-të për fitoren 3:2 të Chelseat.
Skuadra londineze kaloi në avantazh 1:0 në minutën e 19-të. Nga pika e bardhë shënoi Enzo Fernandez.
Antonio Vergara në minutën e 33-të dhe Rasmus Hojlund në minutën e 43-të shënuan golat për Napolin.
Napoli në tetë ndeshje mblodhi vetëm tetë pikë, që ishin të pamjaftueshme për kalim në plejofin e fazës nokaut.
Chelsea e përfundon fazën e ligës me 16 pikë dhe kualifikohet direkt në një të tetën e finales.
Arsenali me pikë maksimale në fazën e ligës në Champions
Ashtu si pritej, Arsenali e ka mbyllur me pikë maksimale fazën e ligës në Champions.
Të mërkurën mbrëma, në kuadër të xhiros së fundit, përkatësisht të tetë, Arsenali fitoi në shtëpi ndaj Kairat Almatyt me rezultatin 3:2. Për “topçinjtë” ishte fitorja e tetë në po aq ndeshje. Garën e vazhdon në një të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Viktor Gyokeres në minutën e dytë, Kai Havertz në minutën e 15-të dhe Gabriel Martinelli në minutën e 36-të i shënuan golat për Arsenalin. Jorginho shënoi golin e parë për Kairatin në minutën e shtatë. Fare në fund, në minutën e 94-t, Ricardinho shënoi për 3:2.
Arsenali është skuadra e vetme që e mbylli fazën e ligës me pikë maksimale.
Interi në epërsi ndaj Dortmundit
Me fitore Interi mbetet në garë për kualifikim direkt në një të tetën e finales.
Napoli sërish po pëson nga Chelsea
Chelsea ka kthyer epërsinë në ndeshjen ndaj Napolit.
Joao Pedro shënoi për 3:2 në minutën e 82-të.
Kampioni i Italisë, Napoli, është në prag të eliminimit.
Real Madridi ngushton rezultatin, sërish Mbappe
Kylian Mbappe ka shënuar tjetër gol, ndërsa Real Madridin ka ngushtuar në 3:2 rezultatin në ndeshjen ndaj Benficas.
Mbappe e shënoi golin e dytë për madrilenët në minutën e 58-të.
Barcelona në epërsi, barazon Chelsea
Barcelona ka përmbysur rezultatin në ndeshjen ndaj Copenhagenit.
Për 2:1 shënoi Lamine Yamal në minutën e 60-të.
Ndërkohë Chelsea ka barazuar në 2:2 rezultatin në ndeshjen ndaj Napolit.
Benfica e shënon golin e tretë ndaj Real Madridit
Për 3:1 shënoi Andreas Schjelderup në minutën e 54-t.
Barcelona e barazon rezultatin
Barcelona e ka barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Copenhagenit.
Për 1:1 shënoi Robert Lewandowski në minutën e 48-të. Lamine Yamal ishte asistues.
Arsenali, Bayerni, Liverpooli..
Kanë përfunduar pjesët e para të ndeshjeve të xhiros së fundit të fazës së ligës në Champions.
Sipas rezultateteve momentale, direkt në një të tetën kualifikohen Arsenali, Bayerni, Liverpooli, Manchester City, Real Madridi, Tottenhami, PSG-ja e Newcastle.
Jashtë tetëshes aktualisht është Barcelona, por edhe Interi.
Barcelona po pëson 1:0 në shtëpi nga Copenhageni.
Arsenali po udhëheq 3:1 ndaj Kairatit. Benfica po e mposht Real Madridin, 2:1, ndërsa 0:0 është rezultati në ndeshjen Dortmund – Inter. Liverpooli po udhëheq 2:0 ndaj Qarabagut, njëjtë si Manchester City ndaj Galatasarayt. Në ndeshjen ndoshta më interesante të xhiros, Napoli po fiton 2:1 ndaj Chelseat. PSG e Newcastle po luajnë baras, 1:1.
Dramë në Napoli, përmbyset rezultati
Napoli ka kthyer epërsinë në ndeshjen ndaj Chelseat.
Ndonëse po përballet me mungesa të shumta, Napoli po udhëheq 2:1 ndaj skuadrës londineze.
Rasmus Hojlund ka shënuar për 2:1 në minutën e 43-të.
Barazon Napoli
Napoli ka barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Chelseat.
Për 1:1 shënoi Antonio Vergara në minutën e 33-të. Ai shënoi gol të bukur.
Real Madridi në epërsi, shënon Mbappe
Real Madridi ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Benficas në Portugali.
Sulmuesi francez, Kylian Mbappe, ka realizuar në minutën e 30-të. Mbappe ka konfirmuar formën e lartë që po e kalon.
Chelsea në epërsi, Napoli drejt eliminimit
Chelsea ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Napolit në “Diego Armando Maradona”.
Enzo Fernandez shënoi nga penalltia në minutën e 19-të.
Me këtë rezultat, kampioni i Italisë, Napoli, eliminohet nga Championsi.
Arsenali pëson gol nga Kairati
Arsenali ka pësuar gol nga Kairat Almaty në “Emirates Stadium” në Londër.
Arsenali kaloi në epërsi në minutën e tretë nëpërmjet Viktor Gyokeresit, kurse në minutën e shtatë pësoi gol. Golin e barazimit e shënoi Jorginho.
Copenhageni befason Barcelonën
Copenhageni ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Barcelonës.
Që në minutën e pestë për skuadrën daneze shënoi Viuktor Dadason. Barcelona është vendase, ndërsa i duhet fitorja për kualifikim direkt në një të tetën e finales në Champions.