Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Lojtarët e Kosovës që duhet ta shfrytëzojnë momentin

Florent Muslija, Lumbardh Dellova & Dion Gallapeni

Florent Muslija, Lumbardh Dellova & Dion Gallapeni

Foto: Driton Paçarada

Para ndeshjeve finale gjithnjë fokusi është tek ata që janë në dispozicion e jo tek ata që mungojnë. Kështu ishte edhe para ndeshjes vendimtare që Kosova e luajti të martën ndaj Turqisë. Në “Fadil Vokrri”, në atmosferë të shkëlqyer, Kosova pësoi 1:0 nga Turqia dhe mbeti jashtë Botërorit.

Kapiteni Amir Rrahmani dhe lideri i mesfushës, Leon Avdullahu, munguan. Franco Foda nuk mundi të llogariste në dy prej lojtarëve më të mirë dhe që bëjnë karrierë në top-ligat evropiane.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Direkt apo indirekt, Rrahmani e Avdullahu u zëvendësuan me lojtarë që te klubet paraqiten në nivel dukshëm më të ulët.

Kjo është dëshmi që ekipi i Kosovës ende nuk e ka konkurrencën në të gjitha pozitat me lojtarë të ligave të mëdha. Kjo, natyrisht, ka ndikim në paraqitje.

Dhe në periudhën më të ndritur të Kosovës, futbollistët që shkëlqyen në kualifikimet e rregullta, por edhe në ndeshjen ndaj Sllovakisë e deri diku në atë ndaj Turqisë, duhet ta shfrytëzojnë momentin për të bërë lëvizje të madhe në karrierë.

Me Rrahmanin, Avdullahun dhe Leart Paqaradën, gjithashtu të lënduar, Kosova i ka dhjetë lojtarë në top-ligat evropiane.

Ndërkohë i ka disa lojtarë në liga thuajse inferiore, nëse krahasimi bëhet me nivelin që ka arritur Kosova.

Për shembull, njëri prej mbrojtësve më të rëndësishëm, Lumbardh Dellova paraqitet në kampionatin e Bullgarisë, te skuadra CSKA Sofia. Derisa Dellova me Kosovën përballet me yje si Alexander Isak, Viktor Gyokeres, Benjamin Sheshko, Arda Guler e Kenan Yildiz, në nivel klubesh luan kundër lojtarëve që njihen kryesisht në Bullgari.

Një lëvizje në ndonjë ligë më të madhe do të ishte hap i logjikshëm për Dellovën, marrë për bazë nivelin që ai ka arritur me Kosovën. Po ashtu mosha e Dellovës, 27 vjeç, vlerësohet e duhura për testim në nivel më serioz evropian.

Dion Gallapeni po ashtu ka shkëlqyer te Kosova në kampanjën e fundit. Ndërkohë që në nivel klubesh luan “vetëm” në Poloni. Kalimi nga Prishtina te Widzew Lodzi ishte hap i madh para për 21-vjeçarin. Por nëse për bazë merret pesha që Gallapeni ka për ekipin e Franco Fodas, Lodzi mund të jetë ekip i vogël.

Megjithatë Gallapeni pati telashe te Lodzi dhe u huazua te Wisla Plock. Edhe te ky ekip polak pati hapësirë të limituar, ndërsa vetëm në ndeshjen e fundit para grumbullimit me Kosovën shfaqi potencial.

Kreshnik Hajrizi luajti në qendër të mbrojtjes te Kosova ndaj Sllovakisë dhe Turqisë. Ndaj Turqisë u vlerësua me notën më të lartë. 26-vjeçari është në edicionin e parë si lojtar i Sionit në Superligën e Zvicrës. Një kohë luajti huazim te kjo skuadër.

Që Kosova të arrijë aty ku dëshiron, mbrojtësit kryesorë duhet t’i ketë në top-ligat evropiane. E tillë nuk është Superliga e Zvicrës e as ajo e Polonisë.

Dy titullarë të tjerë po ashtu kanë hapësirë për ngritje të madhe. Veldin Hoxha, që zëvendësoi Avdullahun, luan për Rubin Kazanin në Rusi. Pasi nisi pushtimi rus i Ukrainës, edhe liga ruse u prek ndjeshëm dhe nuk e ka nivelin që e kishte disa vjet më parë.

Florent Muslija është lojtar i Freiburgut të Bundesligës, por i huazuar te Fortuna Dusseldorfi në Bundesliga 2. Së fundi me Kosovën u sfidua nga yje të futbollit evropian dhe niveli i ligës ku paraqitet erdhi në shprehje.

Prej rezervistëve pak prej lojtarëve luajnë në ligat që janë të denja për nivelin që Kosova e ka arritur si përfaqësuese.

Për realizim të një transferimi të madh luajnë rol shumë faktorë. Ndër të tjera edhe mënyra se si menaxhohen lojtarët.

Por paraqitjet me Kosovën dhe buja që përcolli ndeshjet e fundit, përfundimisht duhet të shfrytëzohen nga Dellova, Gallapeni, Muslija, Hoxha, Hajrizi dhe ndonjë tjetër për të insistuar për ngritje në karrierë në nivel klubesh.