A kujdeset mjaftueshëm Federata e Futbollit e Zvicrës për lojtarët me shtetësi të dyfishtë?
Kjo pyetje u bë para fillimit të kualifikimeve të Kupës së Botës në futboll, pasi Leon Avdullahu vendosi të luante për përfaqësuese të Kosovës në vend se të vazhdonte për Zvicrën.
Para largimit të Avdullahut, lojtari i Fiorentinës, Eman Kospo, ia kishte kthyer shpinën “helvetikëve” dhe tani luan për Bosnjë-Hercegovinën.
Për selektorin e Zvicrës, Murat Yakin, është një gjë e qartë.
“Ne nuk mund të ndikojmë në vendim. Nëse një lojtar ndien se është më i joshur nga vendi i familjes së tij, nuk ka asgjë që mund të bëjmë”, ka thënë përzgjedhësi helvetik në një bisedë për “Bluewin”.
Avdullahu ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës dhe ka qenë në planet e federatës zvicerane.
“Por është e qartë. Me transferimin te Hoffenheimi edhe pritjet e tij janë rritur”, thotë Yakin.
Ai insiston se nuk është ide e mirë që të ftohet një lojtar për t’u lidhur me një shtet. Kur lojtari luan ndeshje kualifikuese me ekipin përfaqësues senior, e humb të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses.
“Ky është vendim që ka rëndësi për një jetë të tërë”.
Ish-sulmuesi i Zvicrës, tani trajner i futbollit, Georges Bregy, pajtohet.
“Lojtari duhet të bindet vetë të luajë për Zvicrën”, thotë ai.
Edhe me largimin e Avdullahut, Yakini ka shumë opsione në qendër të mesfushës. Në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ai dëshiron të mbështetet te lojtarët që i njeh mirë dhe që e njohin gjithashtu punën dhe lojën e tij.
Bregy i sheh rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s si një problem të madh.
“Nëse mund të luash shumë ndeshje në një vend dhe pastaj të vendosësh të luash për një vend tjetër, duhet të ketë edhe kompensim”, thotë analisti i “Bluewin”.
“Mendoj se është mirë kur një person me shtetësi të dyfishtë thotë se ‘kam lindur këtu, veproj këtu, dua të luaj për ekipin përfaqësues’”.
Yakini nuk e pranon akuzën se Federata zvicerane ka bërë pak për të bindur Avdullahun ose Kospon që të luajnë për Zvicrën.
“Ata ishin në ekipet e moshave, ishin të pranishëm në çdo seancë stërvitore, u inkurajuan dhe u zhvilluan. Ndoshta shohin edhe shumë konkurrencë në ekipin përfaqësues”.
Mich Wegmann, drejtor i “Sport Blue News”, nuk sheh asnjë problem me lojtarët me dyshtetësi.
“Kemi humbur vetëm disa lojtarë vitet e fundit që do të kishin qenë aset i vërtetë. Në fund të fundit, as Avdullahu nuk duhet të jetë një humbje e madhe. Sinqerisht, Zvicra ka shumë lojtarë të mirë në pozicionin e tij”, ka thënë Wegmann.