Futboll

Më 5 shkurt Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, Agim Ademi kërkon edhe një mandat

Agim Ademi

Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahet më 5 shkurt të vitit të ardhshëm.

Kështu vendosi të premten Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

Federata e Futbollit e Kosovës drejtohet nga Agim Ademi. Ai ka konfirmuar për KOHËN që në Kuvendin e 5 shkurtit do ta kërkojë edhe një mandat për ta drejtuar federatën më të madhe sportive në vend.

Vitet e fundit janë vlerësuar të suksesshme për futbollin kosovar. Sidomos në vitin 2025, të arriturat e futbollit të Kosovës janë të shumta. Përfaqësuesja A është kualifikuar në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026. Më herët gjatë vitit siguroi avancimin nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Ndërkohë kampionia, Drita, e ka kaluar me sukses fazën e ligës në “Conference League” dhe tani pret ta mësojë kundërshtarin e plejofit të fazës nokaut.

Këto suksese dhe të tjera vlerësohen se janë edhe meritë e FFK-së dhe drejtuesve të saj.

Agim Ademi është në krye të FFK-së që nga korriku i vitit 2018. Mandatin aktual e nisi më 6 prill 2022.

Në mbledhjen e së premtes, Ademi ka vlerësuar sukseset e këtij viti.

“Duke folur për vitin 2025, presidenti Agim Ademi, theksoi se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në të gjitha segmentet, me arritje historike për futbollin e Kosovës. Ai vlerësoi se viti është përmbyllur shumë mirë, si në aspektin organizativ të Federatës, ashtu edhe me rezultatet e arritura nga Kombëtarja A dhe klubet kosovare në arenën evropiane. Presidenti Ademi potencoi rëndësinë e dy ndeshjeve të ardhshme të ‘play-off’-it të Kombëtares, duke theksuar se përqendrimi i plotë duhet të jetë në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë, me shpresën që Kombëtarja do të jetë në formën optimale në muajin mars dhe do t’i kalojë me sukses edhe këta dy hapa për të realizuar ëndrrën e shumë gjeneratave për paraqitjen e parë historike në Kupën e Botës”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Udhëheqësia aktuale e FFK-së vlerëson punën e bërë deri më tani dhe do ta kërkojë mandatin tjetër katërvjeçar për të vazhduar projektet e nisura. Prej synimeve të mëdha është kualifikimi në një ngjarje të madhe me përfaqësuesen A, Botëror apo Evropian.