Vendimi i Albian Hajdarit për të përfaqësuar Kosovën në nivel të rriturve u cilësua goditje e madhe për Federatën e Futbollit të Zvicrës. Por si erdhi deri te vendimi i Hajdarit për t’iu bashkuar Kosovës, të hënën mbrëma për “20 Minuten” ka folur menaxheri i tij, Sascha Fischer.
Ai ka thënë se, Hajdari nuk e ka refuzuar Zvicrën. “Zvicra e ka formuar atë si në aspektin sportiv ashtu edhe personal, për të cilën ai dhe ne si ekip jemi shumë mirënjohës. Familja e tij vjen nga Kosova dhe ai ndjen një lidhje të fortë emocionale me këtë vend. Ai dëshiron të marrë përgjegjësi atje dhe të ndihmojë përfaqësuesen të rritet në nivel evropian”, ka thënë Fischer.
Ai ka vlerësuar punën që kanë bërë Federata e Futbollit e Zvicrës dhe selektori Murat Yakin. Sipas tij, në Zvicër e kanë mbështetur maksimalisht Hajdarin.
“Ne gjithmonë jemi ndjerë të vlerësuar. Prandaj, ky vendim nuk është aspak rezultat i mungesës së përpjekjeve, përkundrazi, është një zgjedhje shumë personale, e nxitur nga identiteti”, është shprehur ai.