Trajneri i Benficas, Jose Mourinho, është paraqitur të hënën në konferencë për shtyp para ndeshjes me Real Madridin.
Benfica të martën nga ora 21:00 e pret Realin në ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e dytë do të luhet më 25 shkurt.
Mourinho ka deklaruar se skuadra duhet të jetë në formën më të mirë përballë Madridit.
Benfica e kishte mposhtur 4:2 Realin në fund të muajit të kaluar në ndeshjen e fundit të fazës së ligës. Me fitore, Benfica e siguroi plejofin.
“Nuk po them se na duhet një mrekulli për të eliminuar Real Madridin, por duhet të jemi në formën tonë më të mirë. Jo vetëm në një nivel të lartë, por në formën tonë më të mirë dhe të luajmë së bashku për të krijuar shanset tona. Lojtarët e Real Madridit janë lojtarë të Real Madridit dhe historia flet vetë. I vetmi krahasim i vërtetë është se Real Madridi është një klub gjigant, dhe kështu është edhe Benfica”, u shpreh portugezi Mourinho.
63-vjeçari Mourinho e drejtoi Realin nga viti 2010 deri në vitin 2013.
Ai e kujtoi me nostalgji kohën që e kaloi me Realin.
“Unë dhashë gjithçka që kisha për Real Madridin. Bëra gjëra të mira, bëra edhe gabime. Dhe kur një profesionist largohet nga ky klub me atë ndjenjë, është diçka e mirë. Njerëzit te Madridi më respektojnë sepse dhashë gjithçka”, ka theksuar Mourinho.