Futboll

Muriq pret fitore ndaj Sllovenisë

Arijanet Muriq

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ka thënë në konferencën për shtyp se pret fitore ndaj Sllovenisë. 
Kosova luan ndaj Sllovenisë të premten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e tretë kualifikuese të Botërorit 2026. 

Kosova e nisi kampanjën me humbje 4:0 në Basel nga Zvicra, dhe me fitore 2:0 ndaj Suedisë në Prishtinë. 

Portieri i Kosovës ka thënë se pret fitore ndaj sllovenëve. Ka folur edhe për formën aktuale me Sassuolon. 

Aro Muriq është prej portierëve që ka shfaqur formë të lartë në Serie A. 

“Jam i lumtur me formën time. Presim fitore. Shpresojmë se do të marrim fitore”, ka deklaruar Muriq fillimisht. 

Kosova kishte luajtur ndaj Sllovenisë në vitin 2020, në kohë pandemie. Dy ndeshjet i takuan Ligës C të Ligës së Kombeve. Kosova i humbi të dy ndeshjet, në shtëpi 1:0 dhe si mysafire 2:1. 

“Nëse kthehemi në kohë dhe e shohim zhvillimin, jemi zhvilluar shumë. Mund tak eni parë edhe ju. Kemi lojtarë më të mirë, që luajnë në liga më të forta, zhvillimi është i madh. E kemi rastin për ta shfaqur nesër dhe shpresojmë se do ta arrijmë suksesin”, deklaroi Muriq. 

Ai ka folur edhe për paraqitjen e lojtarëve në fushë. Kur ata kanë qenë në formë, edhe vetë është ndierë i sigurt. 

“Gjithmonë jam ndierë i sigurt dhe komod me ata që kanë luajtur. Paraqitja varet prej momentit, prej ditës. Kur kanë qenë në formë të mirë dhe në ditën e tyre, për mua ka qenë më e lehtë. Por punojmë të gjithë që ta bëjmë punën më të lehtë”, deklaroi Muriq, duke lavdëruar edhe disa prej lojtarëve të Sllovenisë. 

“Cdo përfaqësuese ka lojtarë të mirë. Nuk mendoj se ka diçka të veçantë. Përkrahja në staidum ka qenë e madhe, ata na japin energji shtesë. Gjithmonë ka qenë kështu kur kemi luajtur”, theksoi Aro Muriq. 

Në portën e sllovenëve është Jan Oblak, njëri prej më të mirëve. 

Për të ka folur edhe portieri i Kosovës. 

“Oblak është prej më të mirëve në botë, është legjendë, por shpresoj se nesër ne mund ta kalojmë atë dhe ta fitojmë ndeshjen”, deklaroi Muriq.