Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Muriqi synon “revanshin” në një tjetër përballje me Gulerin

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi do ta kërkojë “revanshin” në përballjen e dytë brenda javës me Arda Gulerin.

Të martën, të dy lojtarët udhëhoqën Kosovën, përkatësisht Turqinë, në ndeshjen vendimtare për një vend në Kupën e Botës. Në fund ishte ylli turk i Real Madridit, Guler, që festoi. Turqia triumfoi 1:0 dhe u kualifikua në Botëror.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Muriqi e humbi mundësinë për festën e madhe. Por, shansin për një lloj revanshi, ndonëse jo me vlerë të njëjtë, do ta ketë të shtunën me Mallorcan. Mallorca takohet me Real Madridin nga ora 16:15, në ndeshjen e xhiros së 30-të të La Ligas.

Mbrëmja e së martës nga Muriqi u përjetua rëndë. Me lot në sy e lëshoi fushën në “Fadil Vokrri”. Por, ai ka treguar në karrierë se ka karakter të fortë.

Për Muriqin të premten në konferencë për shtyp ka folur trajneri i Mallorcas, Martin Demichelis.

“Muriqi është i lënduar. Nuk mund ta mohojmë këtë sepse ai ishte kapiten i një përfaqësueseje që ishte aq afër arritjes së ëndrrës. Por, ju e dini tregimin jetësor të Muriqit, ai është luftëtar. Dhe këtë ai e ka thënë edhe pasi e humbi penalltinë ndaj Elches. E mori përgjegjësinë dhe tha se do të gjuajë sërish penallti dhe do të shënojë. Ai ka personalitet të jashtëzakonshëm. Jam jashtëzakonisht i befasuar me karakterin e tij. Ai e di se duhet vazhduar”, ka deklaruar Demichelis.

31-vjeçari Muriqi është bindshëm sulmuesi më i mirë i Kosovës. I ka realizuar 32 gola në 68 ndeshje.

Bindshëm sulmuesi më i mirë është edhe te Mallorca. Madje është edhe prej sulmuesve më të mirë në elitën spanjolle. “Pirati” i ka 18 gola e një asistim në La Liga këtë edicion. Pesë më shumë i ka superylli Kylian Mbappe, sulmuesi i Real Madridit.

Përderisa ndeshja e së shtunës nuk e ka peshën e finales së plejofit për Kupë të Botës, si Mallorca ashtu edhe Real Madridi kanë synime të mëdha për ndeshjen në fundjavë.

Mallorca është në pozitën e 18-të me 28 pikë dhe vazhdon garën e fortë për mbijetesë, kurse Real Madridi lufton për titull kampioni. Është i dyti me 69 pikë.

Barcelona është lidere me 73 pikë.

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, theksoi se është i lumtur me suksesin e lojtarëve madrilenë që kanë siguruar paraqitjen në Kanada, Meksikë e SHBA.

“I kemi shikuar ndeshjet e lojtarëve tanë, si janë ndier, si janë. Dhe natyrisht i kam shkruar Gulerit, e kam përgëzuar. Jam shumë i lumtur për të sepse e di se çfarë do të thotë për Ardan që do të luajë në Kupë të Botës. Jo vetëm për atë që përfaqëson turneu, por edhe për atë se sa krenar është me shtetin e tij dhe sa i rëndësishëm ka qenë kualifikimi për të. Gëzohem shumë kur i shoh lojtarët e mi të lumtur. Ata kanë arritur synimet me përfaqësueset e tyre”, ka deklaruar tekniku spanjoll i madrilenëve.

Ndeshja e së shtunës për Muriqin ndaj Gulerit do të jetë e pesta. E ka një fitore, tri humbje dhe një barazim. Muriqi i ka tri gola të shënuar në shtatë paraqitje ndaj madrilenëve.