Florent Muslija është bërë transferimi i dhjetë i Fortuna Dusseldorfit në këtë afat kalimtar veror.
Mesfushori i Kosovës, 27-vjeçari Muslija, do t’i bashkohet Fortunas së Bundesliga 2 në formë huazimi nga Freiburgu i elitës së futbollit gjerman.
Skuadra e kategorisë së dytë do ta ketë edhe opsionin e blerjes përfundimtare të Muslijës, i cili do ta mbajë veshur fanellën me numrin 24.
Muslija është zhvilluar te të rinjtë e Karlsruherit, ndërsa në vitin 2018 iu bashkua Hannoverit, që në atë kohë luante në Bundesligë.
Muslija karrierë ka bërë edhe te Paderborni, para se të kalonte te Freiburgu në vitin 2024.
Në total, Muslija ka 38 paraqitje në Bundesligë, ndërsa ka shënuar dy gola.
125 ndeshje i ka të luajtura në Bundesliga 2 dhe ka 29 gola të realizuar.
“Më ka pëlqyer koncepti i zyrtarëve të klubit dhe pjesa ku unë do të kem hapësirë për lojë. Dua të kontribuojë në arritjen e objektivave me paraqitje të mirë dhe mezi pres të jem në këtë qytet të bukur, me tifozë të flaktë e në stadium fantastik”, ka deklaruar Muslija për faqen zyrtare të klubit.