Futboll

Nazmi Gripshi ftohet nga Shqipëria

Nazmi Gripshi

Ish-futbollisti i Ballkanit, Nazmi Gripshi, është ftuar nga Shqipëria për ndeshjen kundër Serbisë. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit të martën pasdite. Gripshi është ftuar në vend të Adrion Pajzaitit të lënduar. 

Për Gripshin është hera e parë që grumbullohet me Shqipërinë. 

“Gripshi do të bashkohet me ekipin gjatë ditës së mërkurë dhe do të jetë në dispozicion ndaj Serbisë dhe Jordanisë”, shkruan FSHF-ja.

28-vjeçari Gripshi luan për skuadrën nga Kazakistani, Astana.

Gripshi aktualisht është golashënuesi më i mirë deri më tani në kampionatin e Kazakistanit.

Në 24 ndeshjet e zhvilluara ka 15 gola të shënuar. Ka bërë edhe gjashtë asistime.

Pjesë e Astanas është nga viti i kaluar. Ai ishte transferuar si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Ballkanin. Për skuadrën nga Suhareka luajti për katër vjet.

Ai me Ballkanin fitoi tre tituj radhazi të kampionit, si dhe u paraqit dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.