Xhiroja e gjashtë e Premier Leagues angleze pritet të ofrojë ndeshje interesante.
Plot shtatë ndeshje do të luhen të shtunën, kurse dy të dielën. Xhiroja mbyllet të hënën.
Kampioni në fuqi i Anglisë, Liverpooli, të shtunën nga ora 16:00 luan në udhëtim te Crystal Palace.
Liverpooli është skuadra e vetme që ka fituar pesë ndeshjet e deritashme. I prin tabelës me 15 pikë.
Edhe Crystal Palace nuk qëndron keq me rezultate. Nuk di për humbje, kurse ka dy fitore dhe tri barazime. E zë vendin e pestë me nëntë pikë.
Është hera e parë për Crsystal Palacen që nuk ka pësuar disfatë në kampionat në pesë ndeshjet e para, që nga edicioni 1990/91.
Në përgjithësi, Crystal Palace është e pamposhtur në 11 ndeshje në elitën angleze.
Mes dy skuadrave janë zhvilluar 64 ndeshje.
Liverpooli prin me 35 fitore, Crystal Palace i ka 16 dhe 13 herë ndeshja ka përfunduar baras.
Në bazë të formës së skuadrave, kjo mund të jetë ndeshja kryesore në fundjavë.
Skuadrat e tjera pretendente për titull shpresojnë që Palace të ndalë hovin e Liverpoolit.
Nga ora 16:00 të shtunën luajnë edhe Chelsea me Brightonin dhe Manchester City me Burnleyn.
Chelsea është në pozitën e gjashtë me tetë pikë. Brightoni ka tri pikë më pak në vendin e 14-të.
Ndërkohë City ka shtatë pikë në vendin e nëntë, derisa Burnley gjendet në pozitën e 16-të me katër pikë.
Xhiroja e gjashtë fillon me ndeshjen që fillon nga ora 13:30 dhe vë përballë Brentfordin dhe Manchester Unitedin.
Brentfordi ka katër pikë në vendin e 17-të, kurse Unitedi ka tri pikë më shumë dhe është gjashtë pozita më lart.
Një tjetër ndeshje interesante është ajo në mes Newcastle Unitedit dhe Arsenalit, që luhet të dielën nga ora 17:30.
Arsenali është në vendin e dytë me dhjetë pikë. Newcastle zë pozitën e 13-të me gjashtë pikë.