Një situatë e pazakontë është regjistruar në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, ku portieri francez i Bylisit, Jeremy Vachoux, vendosi të braktisë fushën e lojës në minutën e 42-të të ndeshjes ndaj Vorës.
Veprimi i rrallë ndodhi në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, e vlefshme për javën e 18-të të kampionatit elitar shqiptar, në momentin kur Vora po udhëhiqte me rezultat 2:0.
Vachoux u largua nga fusha në shenjë proteste, duke hequr edhe fanellën. Për këtë veprim, gjyqtari kryesor i takimit, Ermir Çelaj, e ndëshkoi portierin 31-vjeçar me karton të verdhë.
Largimi i papritur i francezit e gjeti të papërgatitur zëvendësuesin e tij, Renato Beqaj, i cili u detyrua të aktivizohej pa u nxehur mjaftueshëm.
VIDEO (Pamja kur portieri del nga fusha)
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Bylisit, Mirel Josa, tentoi ta minimizojë situatën, duke deklaruar se portieri kishte kërkuar ndërrim për shkak të një lëndimi.
“Portieri Vachoux? Kjo nuk do të thotë asgjë. Portieri kërkoi ndërrim për arsye dëmtimi. Duke qenë se ishte fundi i pjesës së parë, vendosëm të shohim gjendjen e tij për vazhdimin e ndeshjes”, u shpreh Josa.
Në fund, Bylisi u mposht thellë me rezultat 4:1. Skuadra nga Ballshi renditet aktualisht në vendin e tetë me 18 pikë, ndërsa Vora gjendet një pozitë më lart në tabelë, me 19 pikë.
