Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar se së bashku me FIFA-n dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme e kanë cilësuar me rrezikshmëri të lartë ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.
Ndeshja luhet më 11 tetor në stadiumin “Duboçica” në Leskovc dhe u takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Në njoftimin e Federatës serbe bëhet e ditur se FIFA ka caktuar dy zyrtarë sigurie për ndeshjen në Leskovc.
Në federatën serbe të futbollit kanë theksuar se është përgjegjësi e tyre të sigurohen që “skenari i vitit 2014 të mos përsëritet”.
Në vitin 2014 në Beograd ndeshja mes Serbisë e Shqipërisë ishte ndërprerë që në pjesën e parë.
Huliganët serbë, por edhe lojtarët dhe pjesëtarët e sigurisë kishin sulmuar lojtarët e Shqipërisë, pas shfaqjes së flamurit të famshëm me dron. Në fund ndeshja ishte regjistruar me rezultat 3:0 në të mirë të Shqipërisë, pas një procesi të gjatë.
“Kjo është arsyeja pse kemi një përgjegjësi të veçantë për të siguruar që ky skenar të mos përsëritet, por për të treguar se Serbia mund dhe duhet të presë një ngjarje të madhe sportive në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”, shkruan të mërkurën Federata e Futbollit e Serbisë.