Në Tampere, rreth 3000 kilometra larg Gjilanit, Drita shkruan kapitull të ri. Për herë të parë skuadra gjilanase e futbollit do të paraqitet në fazën e ligës në garat kontinentale.
Të enjten prej orës 18:45, kampionia e Kosovës në futboll luan ndaj skuadrës finlandeze KuPS, në xhiron e parë të Ligës së Konferencës. Prej edicionit të kaluar, kupat evropiane kanë fazë të ligës, që ka zëvendësuar atë grupore.
Drita do t’i ketë gjashtë ndeshje në fazën e ligës në Konferencë, ndërsa nëse ka sukses do të vazhdojë në raundet e eliminimit. Por vetë kualifikimi në fazën e ligës është sukses për ekipin gjilanas.
KuPS-i është ekip nga qyteti finlandez Kuopio. Ndeshjet e Ligës së Konferencës i luan në Tampere, rreth 300 kilometra larg nga Kuopio, për shkak se stadiumi i kësaj skuadre nuk i plotëson kriteret e UEFA-s. Edhe Drita, në mungesë të stadiumit, e ka të pamundur të luajë në Gjilan. Ndeshjet evropiane i zhvillon në Prishtinë.
Njëjtë si Drita, edhe KuPS-i për herë të parë paraqitet në fazë të ligës apo fazë grupore të garave evropiane. Ekipi finlandez ishte në vazon e katërt për short, njëjtë si Drita.
Liga e Finlandës nuk vlerësohet e ndonjë niveli të papërballueshëm për skuadrat kosovare. Rrjedhimisht te Drita presin të fitojnë pikë.
Kapiteni Rron Broja është gati ta udhëheqë skuadrën në fushë. Ai e di rëndësinë e ndeshjes së parë në fazën e ligës.
“Është ndeshje historike për klubin tonë. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë takim. Në këtë kompeticion nuk ka ndeshje të lehta. Por jemi optimistë se do të fillojmë me rezultat pozitiv”, ka thënë Broja të mërkurën për KOHËN.
Drita u ndal në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. U eliminua nga gjiganti danez, Copenhagen. U zhvendos në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, ku u eliminua nga kampioni rumun, FCSB. Bëri zhvendosje tjetër për në plejofin e Ligës së Konferencës, ku e eliminoi Differdangen e Luksemburgut dhe arriti në fazën e ligës. Differdangen e kishte eliminuar edhe në raundin e parë kualifikues të Championsit.
Në Ligën e Konferencës gjilanasit do të luajnë edhe me Omonian e Qipros, Shelbournen e Irlandës, Shkëndijën e Tetovës, AZ Alkmaarin e Holandës dhe Rayo Vallecanon e Spanjës.
Prej 36 skuadrave në fazën e ligës, 24 avancojnë në fazën nokaut. Drita shpreson të jetë në mesin e tyre.
Në Superligën e Kosovës, Drita ka nisur më zbehtë. Pas xhiros së shtatë është në vendin e gjashtë me tetë pikë. Pas humbjes 2:0 nga Ballkani në xhiron e gjashtë, kampionia aktuale fitoi 3:1 ndaj Dukagjinit, të dielën e kaluar.
KuPS-i po lufton për titull në Finlandë. Pas 25 xhirove i ka 50 pikë në vendin e tretë. 50 pikë i ka edhe Inter Turku në vendin e dytë, ndërsa Ilvesi udhëheq në tabelë me 52 pikë.
Broja me shokë pritet të kenë përkrahje nga shqiptarët që janë komunitet goxha i madh në Finlandë.