Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Nga kampion i Premier Leagues në kategorinë e tretë - rënia e pabesueshme e Leicesterit

Leicester City

Dhjetë vjet më parë, Leicester City e fitoi titullin e kampionit në Premier League. Edicionin e ardhshëm kjo skuadër do të luajë në “League One”, që është kategoria e tretë e futbollit anglez.

Leicesteri ka pësuar rënie të pabesueshme që kur e fitoi Kupën FA në vitin 2021, ndërsa barazimi 2:2 i së martës me Hull Cityn ka konfirmuar rënie në kategorinë e tretë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Leicesteri fitoi titullin e kampionit të Anglisë duke shokuar botën e sportit një dekadë më parë. Dy vjet më pas mbeti pa pronarin Vichai Srivaddhanaprahbha që vdiq në një rrëzim të helikopterit. Kështu “Dhelprat” kanë përjetuar çdo emocion në dekadën e kaluar.

Në edicionin 2016/17, Leicester City luajti në çerekfinale të Ligës së Kampionëve me Atletico Madridin. Një dekadë më pas, skuadra do të jetë në një ligë me ekipe si Bromley, që ka kaluar 132 prej 134 vjetëve të ekzistencës duke luajtur futboll amator.

Pasi skuadra përfundoi në vendin e tetë në Premier League në vitin 2022 dhe arriti në gjysmëfinale të Ligës së Konferencës, trajneri i atëhershëm, Brendan Rodgers paralajmëroi se klubi duhej të ndryshonte pritjet.

Kovidi pati ndikim të madh në “King Power”, shitësin me pakicë të produkteve pa taksa në pronësi të Vichait.

Skuadra nuk e shënoi asnjë fitore në tetë xhirot e para të edicionit 2022/2023 dhe Rodgers tha se Leicesteri duhej të përqendrohej në arritjen e 40 pikëve. Ishte kontrast me deklaratat e mëparshme të ish-trajnerit të Liverpoolit, i cili shpesh foli për prishjen e rendit të vendosur në Premier League. Leicesteri ishte afër të bënte këtë, duke mbetur jashtë Ligës së Kampionëve në xhirot e fundit në vitet 2020 e 2021.

Nën drejtimin e Rodgersit, Leicesteri e fitoi Kupën FA, duke e mposhtur Chelsean e Thomas Tuchelit, por rënia nisi shpejt në mungesë të investimeve cilësore.

Tifozët ende krenoheshin me ekipin që përfshinte lojtarë si Jamie Vardy, James Maddison dhe Youri Tielemans, por Rodgers u shkarkua në prill 2023 me Leicesterin në zonën e rënies. Dean Smith nuk mundi ta shpëtonte skuadrën.

Pas largimit të Rogersit, janë ndërruar edhe shtatë trajnerë. Vendimmarrja nuk vlerësohet e duhura, pasi “Dhelprat” kaluan nga një stil në tjetrin, duke humbur identitetin. Nën drejtimin e Enzo Marescas, Leicesteri u kthye në premier League, duke fituar Championshipin në vitin 2024. Por në elitë qëndroi vetëm një edicion.

Vendimet jo të qëlluara vinin njëri pas tjetrit. Të shtunën mesfushori Harry Winks u përfshi në një grindje me tifozët. Winks, që ka dhjetë ndeshje me Anglinë, u fishkëllye kur hyri si zëvendësues kundër Hull Cityt.

Vdekja e Vichait në aksidentin me helikopter ka pasur ndikim të madh. Ai e bleu klubin për 39 milionë funte në vitin 2010. Pagoi borxhet dhe pa klubin duke u ngjitur në elitë katër vjet më pas. Fitimi i Premier Leagues në edicionin 2015/16 ishte një nga historitë më të pabesueshme në sport.

“Ai kishte shumë ndikim”, tha mbrojtësi Robert Huth, anëtar shumë i rëndësishëm i skuadrës që fitoi titullin e kampionit. “Ai ishte i njohur si udhëheqës që kryente punët”.

Pas vdekjes së Vichait, djali i tij, Aiyawatt, i njohur si “Top”, mori drejtimin e klubit dhe të biznesit.

“Top është më i ri se unë. Ai humbi babanë, tani duhet ta drejtojë ‘King Power’. Vëmendja është mbi të. Është shumë e lehtë të kritikosh. Në moshën 33-vjeçare shikon nga babai yt për udhëzime dhe kjo iu mohua atij brenda natës”, ka shtuar Huth.

Ka pasur gjithashtu sugjerime se pronari ishte shumë i varur nga Jon Rudkin, drejtor i futbollit, që ishte në klub për 30 vjet.

Rënia në kategorinë e tretë ka edhe kosto të lartë financiare. Humbjet e klubit nuk po ndalen. Pagat e lojtarëve janë shumë të larta, gjithashtu edhe kreditë.

Me rënie në “League One”, klubi do të sfidohet më shumë se kur e fitoi Premier Leaguen.