Futboll

Nga skuadrat shqiptare Drita e ka renditjen më të mirë në UEFA

Drita

Drita të enjten mbrëma e arriti suksesin historik në debutim në Ligën e Konferencës. 

Skuadra gjilanase e siguroi plejofin e fazës nokaut. Edhe Shkëndija e Tetovës avancoi tutje nga faza e ligës. 

Gjithsej, 24 skuadra kanë avancuar në fazën tjetër të garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia, ndërsa tetë të parat shkuan direkt në 1/8 e finales. 

UEFA ka përditësuar renditjen e klubeve me koeficientin më të lartë, në ciklin pesëvjeçar të garave evropiane, prej 2021/2022 deri në edicionin 2025/2026. 

Drita tani zë vendin e 113-të me 13.625 pikë. Ballkani nga klubet e Kosovës është i dyti, përkatësisht në pozitë e 148-të me 10 pikë. Prishtina ka 3.5 pikë dhe renditet e 280-ta.  

Drita është para skuadrave të tjera shqiptare nga kampionati i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Në Shqipëri, renditjen më të mirë e ka Partizani në vendin e 182-të me 7.5 pikë. 

Tri skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Shkëndija, Shkupi dhe Struga, janë larg Dritës po ashtu.

“Kuqezinjtë” e Shkëndijës së Tetovës zënë vendin e 139-të me 10.8 pikë. 

Lista e UEFA-s të premten është përditësuar edhe në nivel përfaqësuesesh. 

Kosova është e 36-ta me 13.989 pikë. Shqipëria e 44-ta ma 8.125 pikë.