Futboll

Nikoqirët e “Euro 2028” nuk e kanë të sigurt turneun

Gareth Bale

Nikoqirët e Kampionatit Evropian 2028, Anglia, Irlanda, Skocia dhe Uellsi, nuk do të kualifikohen automatikisht dhe do të luajnë në kualifikime për ta siguruar avancimin në turneun final. 

Megjithatë, UEFA ka njoftuar të mërkurën se dy vende për këto katër përfaqësuese janë të rezervuara, nëse ato nuk arrijnë ta sigurojnë turneun nëpërmjet kualifikimeve të rregullta. Në edicionet e kaluara të Kampionateve Evropiane, nikoqirët e turneut gjithmonë janë kualifikuar automatikisht. 

Këto katër përfaqësuese do të ndahen në grupe. 12 fituesit e grupeve dhe tetë më të mirët e vendeve të dyta, do të avancojnë direkt në turneun me 24 përfaqësuese. 

“Dy vende në turneun final do të jenë të rezervuara për dy përfaqësueset me renditjen më të mirë, të cilat nuk kualifikohen si fitues të grupeve apo nga vendi i dytë, pasi të përfundojë faza kualifikuese grupore”, ka njoftuar UEFA të mërkurën. 

“Euro 2028” do të organizohet në nëntë vende në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë. 

Anglia ishte finaliste në “Euro 2024”, ndërsa Skocia u eliminua në fazën grupore. 

Uellsi dhe Irlanda nuk u kualifikuan në turneun që në vitin e kaluar u organizua në Gjermani.