Ish-futbollisti i Barcelonës, Jordi Alba, që aktualisht luan për Inter Miamin të martën e ka njoftuar tërheqjen nga futbolli aktiv në moshën 36-vjeçare.
Alba përmes një video të publikuar në rrjetet sociale njoftoi se do të pensionohet nga futbolli pas përfundimit të sezonit të ligës MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ditë më parë edhe Sergio Busquets që po ashtu luan për Miamin e njoftoi pensionimin nga futbolli në fund të sezonit.
“Ky ka qenë një vendim që e kam menduar për një kohë të gjatë. Ndjej se është momenti i duhur për të filluar një kapitull të ri personal dhe për të shijuar plotësisht kohën me familjen time pas kaq shumë vitesh të vështira në futbollin profesional. Jam shumë i lumtur me kohën time në Inter Miami dhe vërtet mirënjohës për mbështetjen e tifozëve dhe që kam qenë pjesë e sukseseve të ekipit, duke ndarë momente të veçanta në rritjen e klubit. Tani qëllimi im është ta përfundoj sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dhënë gjithçka në fazën eliminatore”, ka thënë Alba.
Spanjolli Alba pjesë e Miamit është nga viti 2023. Ai me Miamin ka zhvilluar 95 ndeshje duke kontribuar me 14 gola dhe 28 asistime.
Mbrojtësi i krahut të majtë ka luajtur për një periudhë shumë të gjatë te Barça.
Te gjiganti katalunjas ishte nga viti 2012 deri në vitin 2023.
Me klubin e madh spanjoll luajti në 459 ndeshje. Kontribuoi me 27 gola dhe 99 asistime. Fitoi plot 18 trofe.