Mesfushori 26-vjeçar që ka katër paraqitje për Shqipërinë, Lindon Selahi, edhe një herë tjetër do të punojë me trajnerin Zheljko Sopiq.
Ishte pikërisht trajneri Sopiq që e kishte transferuar Selahin te Rijeka nga Twente holandeze në vitin 2021.
Selahi, i cili është rritur te të rinjtë e Anderlechtit, karrierë ka bërë edhe te Standard Liege e Willem II.
Tani do të paraqitet për Widzew Lodzin në kampionatin elitar të Polonisë.
“Tportal.hr” ka shkruar se Selahi do të përfitojë gjysmë milionë euro në sezon me skuadrën polake, ndërsa ka nënshkruar kontratë trevjeçare.
Ai ka pasur ofertë edhe nga Hajduku i Splitit, por e refuzoi duke zgjedhur Poloninë si destinacion të ardhshëm.
Te Rijeka u transferua si futbollist i lirë në verën e vitit 2021.
Selahi i zhvilloi 153 ndeshje, shënoi nëntë gola, ndërsa kontribuoi me katër asistime.
Me Rijekën në sezonin që shkoi e fitoi titullin dhe Kupën e Kroacisë.
Në vitin 2018 ishte fitues i Kupës së Belgjikës me Standard Liegen.