Futboll

Olympiakosi ia sheh hairin PSG-së

Olympiakos

Fituesi i kampionatit grek, Olympiakos, do të kthehet në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm pas pesë vjetësh, pasi Paris Saint-Germaini avancoi në finale të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma. 

“Jemi kthyer!”, ka shkruar Olympiakosi të enjten në rrjetet sociale, ndërsa rikthimin e kësaj skuadre më vonë e konfirmoi edhe UEFA. 

PSG-ja e eliminoi Arsenalin në gjysmëfinale dhe do të përballet me Interin në finalen e 31 majit. 

Vendi i garantuar në formatin e ligës me 36 skuadra shkon për kampionin që e ka renditjen më të mirë në UEFA, bazuar në rezultatet e arritura në Evropë. 

Olympiakosi është i 37-ti në Evropë, falë trofeut në Ligën e Konferencës në edicionin e kaluar, duke u bërë skuadra e parë greke që fiton trofe evropian. 

Kështu, skuadra greke shmangu kualifikimet me tri raunde për të hyrë në fazën e ligës elitare për klube në Evropë. 

Olympiakosi në vikendin e kaluar e fitoi titullin e 48-të në histori. 

Për herë të fundit në Champions garoi në edicionin 2020/21.