Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar pasi në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, që u zhvillua të shtunën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë dhe përfundoi pa gola, u larguan të gjitha simbolet e UÇK-së.
“Na dhemb zemra oj nanë Shqipni. Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre, preket liria për të cilën ata ranë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë. Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip. Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt, për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes, sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë dhe kujtesa është e shenjtë”, thuhet në reagim.

Ndaj këtyre largimeve ka reaguar kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.
“As në Beograd nuk ndodh! E nxjerrin tifozin nga stadiumi se kishte një bluze me stampë të UÇK! Dënoj me neveri një akt të tillë të shëmtuar antidemokratik prej vasali të Edi Ramës dhe narko-regjimit të tij!” – ka shkruar Berisha.
Ai ka postuar një video ku shihen disa policë shqiptarë duke larguar nga stadiumi një tifoz që kishte fanellën me simbole të UÇK-së.
E në rrjete sociale kanë qarkulluar video ku shihen policët shqiptarë duke hequr flamujt me simbole të UÇK-së nga stadiumi. Në një video të publikuara nga politikani i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Shyqyri Myrtollari, shihen policët duke e larguar një flamur.
Myrtollari ka thënë se heqja e flamujve me simbole të UÇK-së është fyerje e rëndë ndaj të rënëve për atdhe në luftën e Kosovës.
“Në një vend ku shteti dhe policia nuk respektojnë simbolet e rezistencës kombëtare, forcohet tendenca e përçarjes dhe dobësohet ndjenja e unitetit kombëtar. Mallkuar qoftë kush nuk na do bashkë!” – ka shkruar Myrtollari.
Ndeshja Shqipëri - Serbi i takoi ciklit eliminator të Botërorit 2026.