Dinamo e Tiranës e ka fituar Kupën e Shqipërisë për herën e 14-të në histori të klubit. Dinamo e Tiranës fitoi me shumë vështirësi pas ekzekutimit të penalltive, 5:4.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja, që shkroi historinë me Ballkanin me pjesëmarrjen dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës, triumfoi të enjten në finalen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”.
Portieri i Egnatias, Aldo Teqja, ishte hero i mbrëmjes për skuadrën tiranase. Ai i priti dy penallti.
Priti gjuajtjen e Albano Aleksit dhe penalltinë e fundit të gjuajtur nga Mohammed Yahaya. Për Dinamon e Tiranës realizuan Naser Aliji, Eridon Qardaku, Teqja, Baton Zabërgja dhe Bruno Dita, ndërsa dështoi vetëm Jorgo Meksi. Te Egnatia realizuan Soumaila Bakayoko, Serxho Ujka, Arbin Zejnullai e Arbenit Xhemajli, por që nuk mjaftoi për ta shmangur disfatën.
Koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën 2:2.
Nigeriani Peter Itodo Mandela i shënoi të dy golat për skuadrën e Dinamos së Tiranës. Të parin, sulmuesi i fuqishëm e realizoi në minutën e 19-të.
Sulmuesi i Egnatias, Saliou Guindo, e barazoi rezultatin me golin e minutës së tretë shtesë të pjesës së parë.
Por, Mandela realizoi tjetër gol në minutën e 61-të duke e kthyer sërish epërsinë e Dinamos në 2:1.
Ishte Soumaila Bakayoko i Bregut të Fildishtë, që shënoi për 2:2 dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Bakayoko realizoi me kokë nga afërsia.
Në vazhdime nuk pati gola, dhe fituesi u përcaktua pas gjuajtjes së 11-metërshave ku më e suksesshme ishte Dinamo.
Dinamo nuk e kishte fituar trofeun e Kupës prej edicionit 2002/03, ndërsa e ka ndalur dominimin e Egnatias së drejtuar nga trajneri Edlir Tetova.
Skuadra nga Rrogozhina ishte fituese e dy edicioneve të fundit të Kupës së Shqipërisë.