Jon Dahl Tomasson, është shkarkuar nga posti i selektorit të Përfaqësueses së Suedisë.
Vendimi i Federatës së Futbollit të Suedisë, është marrë të martën pas disfatës së dytë të Suedisë nga Kosova.
Suedia kishte humbur në Prishtinë më 8 shtator, kurse të hënën mbrëma në Goteborg humbi 1:0 me gol të Fisnik Asllanit.
Në njoftimin e Federatës së Futbollit të Suedisë shkruan se vendimi është bazuar në mungesën e rezultateve në kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Suedia ka fituar vetëm një pikë nga katër ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Është e fundit në grupin B. Zvicra është e para me dhjetë pikë, kurse Kosova zë vendin e dytë me shtatë pikë. Sllovenia është e treta me tri pikë.
“Vendimi i marrë nga Federata e Futbollit e Suedisë bazohet në faktin se ekipi përfaqësues nuk ka dhënë rezultatet që shpresonim. Ende ka një rast për pljeofin dhe përgjegjësia jonë është sigurohemi që të kemi kushtet më të mira të mundshme për të arritur në Kupën e Botës. Në këtë drejtim, ne besojmë se kërkohet një udhëheqje e re me një selektor të ri”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Suedisë, Simon Astrom.
Menaxheri i Përfaqësueses së Suedisë, Kim Kallstrom, ka besim se Suedia me selektor të ri mund ta siguroj kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
“Ne kemi një grup lojtarësh në të cilët besojmë shumë dhe duam të krijojmë mundësi të reja që ata të japin rezultate. Kemi besim se ky ekip mund të shkojë në Kupën e Botës nëse ekziston mundësia për të siguruar pljeofin që luhet në mars. Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të falënderuar Tomassonin. Ai ka qenë profesional në marrëdhënien e tij me lojtarët, drejtuesit e stafit të ekipit dhe Federatën. Është gjithmonë e hidhur të ndahemi, por futbolli bazohet në rezultate dhe kemi arritur në një pikë ku rezultatet nuk kanë mjaftuar”, ka thënë Kallstrom.
Tomasson kishte marrë drejtimin e Suedisë në vitin 2024.