Futboll

Pas Manchester Cityt, edhe Chelsea akuzohet për 74 shkelje të rregullave të transferimeve

Hazard

Rasti gjyqësor i Manchester Cityt, i akuzuar për plot 115 shkelje të rregullave financiare, ende nuk ka marrë epilog, ndërsa tashmë në Angli ka shpërthyer një tjetër skandal i ngjashëm. Këtë herë në telashe është Chelsea.

Klubi londinez akuzohet për 74 shkelje të rregullave të Federatës Angleze të Futbollit (FA) lidhur me transferimet e lojtarëve. Më saktësisht, bëhet fjalë për shkelje që lidhen me bashkëpunimin me agjentët dhe investimet e palëve të treta në futbollistë.

Sipas FA-së, shkeljet dyshohet se kanë ndodhur gjatë periudhës 2009–2022, kohë kur klubi ishte në pronësi të Roman Abramovich. Shumica e akuzave i përkasin sezoneve nga 2010/11 deri më 2015/16.

Rasti u raportua te FA nga pronarët aktualë amerikanë të klubit, gjatë analizës që ata bënë me rastin e blerjes së Chelseat. Klubi tani duhet të dorëzojë një deklaratë zyrtare deri më 19 shtator.

FA ka në dispozicion një gamë të gjerë sanksionesh, duke filluar nga zbritja e pikëve e deri te ndalimi i transferimeve.

Megjithatë, në Chelsea shpresojnë se dënimi do të jetë më i lehtë, meqë ata vetë i raportuan parregullsitë e zbuluara. Pritet që i gjithë procesi të përfundojë shpejt, madje edhe para se të dalë vendimi për Manchester Cityn.