Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Meriton Korenica e disa të tjerë e kanë shndërruar Rumaninë në destinacion atraktiv për futbollistët shqiptarë.
Por së fundmi joshës për lojtarët shqiptarë është bërë edhe kampionati i Polonisë. Aktualisht në klubet elitare të Polonisë janë tetë shqiptarë.
Njëri prej tyre është Ermal Krasniqi, që destinacion të parë jashtë Kosovës e kishte elitën e futbollit rumun. Krasniqi nga Ballkani i Suharekës kaloi te Cluji. Nga Cluji te Rapidi i Bukureshtit. Vazhdoi te Sparta e Pragës në Çeki dhe në verë kaloi në formë huazimi te Legia e Varshavës, skuadra më e suksesshme polake.
Rrugë dukshëm më të shkurtër drejt “Ekstraklasas”, siç njihet kampionati polak, pati Dion Gallapeni, reprezentuesi tjetër i Kosovës.
20-vjeçari në verë u transferua te Widzew Lodzi për 250 mijë euro nga Prishtina. Mbrojtësi i krahut të majtë te kjo skuadër është bashkëlojtar me Lindon Selahin, Juljan Shehun e Andi Zeqirin.
Dijon Kameri, që ka luajtur për të rinjtë e Austrisë, paraqitet me Cracovian. Florian Haxha, që po ashtu është grumbulluar te Kosova, është pjesë e Motor Lublinit, kurse Bujar Pllana është te Lechia Gdansk.
Vende ku shumë shqiptarë kanë luajtur dhe luajnë aktualisht janë Gjermania, Zvicra, Turqia, Suedia.
Elita polake është goxha e vlerësuar dhe e ranguar në futbollin kontinental
Në renditjen e fundit të publikuar nga UEFA, “Ekstraklasa” është kampionati i 14-të më i fortë në Evropë. Prapa janë kampionate si ai i Austrisë, Zvicrës, Suedisë, Rumanisë, Kroacisë, Hungarisë, Serbisë, Sllovakisë, Sllovenisë, ndër të tjera.
Rritja e kampionatit elitar të Polonisë ka qenë prej arsyeve pse Dion Gallapeni iu bashkua projektit të Widzew Lodzit. Ai të premten për KOHËN ka thënë se te skuadra e re ka gjetur ambient shumë të mirë dhe kalimin në Poloni e ka vlerësuar lëvizje të duhur për zhvillim.
“Liga është shumë e fortë dhe e mirë për zhvillimin e futbollistëve të ri siç jam unë”, ka deklaruar Gallapeni.
“Mendoj se lëvizja ime te Widzew Lodzi është e duhura dhe më e mira. Kisha nevojë të luaja në një ligë me ritëm të lartë, e me nivel të lartë tekniko-taktik. Jam i lumtur në ekip dhe besoj plotësisht në projektin e klubit”.
Gallapeni i ka luajtur pesë ndeshje në “Ekstraklasa”, ndërsa ka një gol. Shënoi gol në disfatën 2:1 nga Pogon Szczecini. Një ndeshje e ka luajtur edhe në Kupë të Polonisë.
Polonia shquhet edhe për ambientet e zjarrta dhe tifozët pasionantë. Kjo është prej arsyeve pse liga elitare e Polonisë është bërë atraktive edhe për shqiptarët.
“Liga polake është shumë e fortë dhe tejet e shpejtë. Luhet futboll taktik dhe fizik. Ritmi është i lartë por mendoj se jam përshtatur mirë me ekipin dhe me ligën e re. Ambientet sportive janë jashtëzakonisht të mira, stadiumet janë gjithmonë plot me shikues. Këtu tifozët jetojnë për futbollin. Dita e ndeshjes është festë, pavarësisht se a luan vendës apo mysafir. Është kënaqësi e veçantë të shohësh numër kaq të madh të tifozëve në çdo ndeshje”, është shprehur 20-vjeçari Gallapeni.
Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me Selahin, Shehun e Zeqirin. Ka thënë se janë të afërt me njëri-tjetrin. Gallapeni thotë se është mirë kur luan me bashkëkombës në një skuadër.
Widzew Lodzi pas nëntë xhirove është i dhjeti me po aq pikë të grumbulluara.
Synim i Gallapenit është pozita sa më e lartë në renditje.
“Grupi i lojtarëve që kemi është shumë i mirë dhe shpresëdhënës për arritjen e objektivave”.
Edhe shqiptarët e tjerë kryesisht po paraqiten mirë në Poloni. Ndonëse disa grupe tifozësh kanë qasje anti-Kosovë, futbollistët me paraqitjen në fushë po e fitojnë respektin.