Përditësim 17:15 - Përfaqësuesja e Serbisë në futboll nuk është vendosur në hotelin që është fare pranë stadiumit “Air Albania” në Tiranë. Serbët kanë zgjedhur një hotel që është rreth 20 minuta larg stadiumit.
Në media të ndryshme ka pasur raportime që hoteli është zëvendësuar në momentin e fundit. Në afërsi të stadiumit vendosen thuajse të gjitha përfaqësueset tjera.

Por nga federata serbe kanë mohuar këtë. Kanë thënë se hotelin e kanë zgjedhur tre muaj më parë dhe as që e kishin opsion stadiumin në afërsi të stadiumit. Kanë thënë se kanë zgjedhur një hotel të qetë.
Në stadiumin në kompleksin e stadiumit, serbët do të mund të ishin në fushë duke lëvizur përmes liftit shkruan “Sportklub”. Bashkë me përfaqësuesen serbe është edhe kuzhinieri. Lojtarët e Serbisë menjëherë pasi dolën nga aeroplani kanë udhëtuar për në hotel, nën masa shumë të rrepta të sigurisë.
Përfaqësuesja e Serbisë arrin në Tiranë nën masa të rrepta sigurie - ndryshon hoteli, bllokohen rrugë
Përfaqësuesja e Serbisë ka mbërritur në Tiranë ku do të luajë të shtunën në mbrëmje ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës kundër Shqipërisë në “Arenën Kombëtare”.
Që nga mbërritja e tyre në Rinas e deri në akomodimin në hotel, ata janë shoqëruar nga Policia e Shtetit për të garantuar të gjitha masat e sigurisë. Edhe pse fillimisht ishte raportuar se përfaqësuesja e Serbisë do të qëndronte në afërsi të stadiumit ku do të luhet ndeshja, ata kanë ndryshuar hotelin dhe janë vendosur në një hotel tjetër në Tiranë, çka ka bërë që edhe autoritetet të marrin masa me bllokimin e disa akseve rrugore shtesë.
“Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin ‘Gjergj Fishta’, deri në drejtim të stadiumit ‘Arena Kombëtare’, përmes bulevardit ‘Bajram Curri’, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do të ketë kufizime të pjesshme deri në 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje pasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen”, njoftoi Policia e Shtetit.
Sipas Policisë, “çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero”.
Ndeshja e shumëpritur do të luhet të shtunën në orën 20:45. Shqipëria momentalisht mban vendin e dytë në grup, me 3 pikë, pasi u mund 2-0 nga Anglia më 21 mars, ndërsa fitoi 3-0 kundër Andorrës 3 ditë më pas. Ndërsa Serbia nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje. (A2News)