Futboll

Portieri i Kosovës nis aventurën e parë në Itali

Arijanet "Aro" Muriq Sassuolo

Pas karrierës te disa skuadra në Zvicër, Angli, Spanjë, Holandë e Turqi, portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, do ta nis një aventurë të re. 26-vjeçari i gjatë 198 centimetra, të mërkurën është zyrtarizuar si portier i ri i Sassuolos në Serie A të Italisë. Sassuolo e siguroi inkuadrimin në elitën e futbollit italian pasi doli në vendin e parë në Serie B me 82 pikë. 

Muriq është huazuar te Sassuolo nga skuadra e Ipswich Townit, që në edicionin e kaluar luajti në Premier League, por nuk e siguroi mbijetesën pasi përfundoi në pozitën e 19-të me vetëm 22 pikë në 38 ndeshje. 

Muriq u paraqit në 19 ndeshje në elitën angleze dhe në Kupën FA, ndërsa i pati 33 gola të pranuar. Vetëm në dy raste e mbajti portën e paprekur. 

Muriq në pjesën e dytë të sezonit të kaluar e humbi vendin e titullarit në konkurrencë me portierin tjetër, ALex Palmer, i cili iu bashkua ekipit nga West Bromwich Albionit në muajin janar. Ndërkohë, mungoi në 11 ndeshjet e fundit të ligës shkaku i një lëndimi të pësuar në shpatull. 

Portieri i Kosovës, Muriq, u zhvillua si futbollist te të rinjtë e YF Juventus dhe Zurichut. Karrierën në nivelin e seniorëve e nisi te Manchester City, ku i pati pesë paraqitje në triumfin e skuadrës në “Carabao Cup”, në edicionin 2018-19. Megjithatë, ai nuk ishte portier në finalen e atij edicioni pasi Pep Guardiola kishte vendosur për portierin e parë të skuadrës, Ederson. 

Pas disa huazimeve, Muriq ishte transferuar te Burnley për edicionin 2022-23, kur skuadra e siguroi promovimin në Premier League. 

Karrierë ka bërë edhe te NAC Breda, Nottingham Forest, Girona, Willem II e Adana Demirspor.