Portieri i Kosovës, Amir Shaipi, ka pritur penalltinë e gjuajtur nga Xherdan Shaqiri në barazimin 1:1 të Baselit ndaj Luganos.
Ndeshja e zhvilluar të dielën ndërmjet Baselit dhe Luganos i takoi xhiros së 25-të të Superligës së Zvicrës.
Benie Traore e kaloi në epërsi Baselin në minutën e 30-të.
Në minutën e 62-të u akordua penallti për Baselin. Shaqiri e mori përsipër ekzekutimin e penalltisë por goditjen e tij e ndali portieri Shaipi që mbron ngjyrat e Luganos.
25-vjeçari Shaipi i kishte pritur penallti Shaqirit edhe më 9 nëntor në fitoren 1:0 të Luganos ndaj Baselit.
Lugano shifrat në 1:1 i barazoi në minutën e 64-t me golin që e shënoi Georgios Koutsias.
34-vjeçari Shaqiri e kompletoi ndeshjen, kurse Albian Ajeti luajti deri në minutën e 66-të te Baseli. Ndërkohë në bankën rezervë ishte Dion Kacuri.
Te Lugano pos Shaipit ndeshjen e kompletoi edhe Uran Bislimi.
Lugano ka 43 pikë dhe renditet në pozitën e tretë. Baseli ka tri pikë më pak dhe është një pozitë më poshtë.