Futboll

Presidenti i FFK-së takohet me talentin Avdullahu

Leon Avdullahu

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar të dielën me talentin kosovar Leon Avdullahu.

“Një kafe në Basel me yllin e futbollit, Leon Avdullahu. E urova për titullin e fituar me FC Baselin dhe transferimin në TSG Hoffenheim”, shkruan shkurt të dielën presidenti i FFK-së në rrjetet sociale të dielën.

Avdullahu bëri hap të madh në karrierë javën e kaluar. Ai kaloi nga kampioni dhe fituesi i Kupës së Zvicrës, Baseli, te skuadra elitare e Gjermanisë, Hoffenheim. Me skuadrën e Bundesligës mesfushori 21-vjeçar ka nënshkruar kontratë afatgjate. Mediumet në Zvicër raportuan se Baseli i ka fituar rreth 9 milionë euro nga shitja e Avdullahut.

21-vjeçari ka luajtur rol të rëndësishëm në suksesin e Baselit. Edhe te Hoffenheimi presin shumë nga talenti Avdullahu.

Futbollisti, 185 centimetra i gjatë, në total ka luajtur 71 ndeshje për Baselin. Ka shënuar tre gola. Ai, po ashtu, ka udhëhequr ekipin U21 të Zvicrës si kapiten.

Për Shpresat e Zvicrës ka luajtur gjashtë ndeshje. Ka luajtur po ashtu edhe për grupmoshat më të reja të shtetit helvetik.