Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do ta vizitojë sërish Kosovën të mërkurën.
Infantino do të dekorohet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo do të jetë vizita e dytë që e bën presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Infantino, në Kosovë.
Vizitën e parë, Infantino, e realizoi në vitin 2022.
Për vizitën e Infantinos ka njoftuar edhe Federata e Futbollit e Kosovës.
“Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, të komunitetit të futbollit dhe të gjithë dashamirëve të këtij sporti, dëshiroj të ju shpreh mirënjohjen më të thellë për vlerësimin dhe nderin që do t’i bëni Presidentit të FIFA-s, mikut të madh të Kosovës, Gianni Infantino, me dekorimin e tij gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë, të mërkurën. Ky akt i lartë institucional është një dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për rolin dhe kontributin e z. Infantino si President i FIFA-s, për zhvillimin e futbollit tonë dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar të martën presidenti i FFK-së, Agim Ademi.