Futboll

Prishtina nuk lejon befasi

FC Prishtina

Mario Ilievski dhe Blend Baftiu i shënuan golat e fitores për Prishtinën të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Me golat e Ilievskit në minutën e 17-të dhe të Baftiut në minutën e 68-të, Prishtina siguroi pikët e plota pas fitores 2:0 ndaj Prishtinës së Re. Për trajnerin Shpëtim Babaj, që e zëvendësoi Elon Berishën në postin e trajnerit te skuadra që për herë të parë garon në elitën e futbollit kosovar, ishte debutim me humbje. Prishtina e Re nga minuta e 52-të mbeti me një futbollist më pak në fushë. Për ndërhyrje të ashpër dhe pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari Alban Shala e përjashtoi nga loja qendërmbrojtësin Adrijan Rudaj. 

“Bardhekaltrit” e udhëhequr nga trajneri Arsim Thaqi me këtë fitore janë kthyer në vendin e parë falë goldallimit më të mirë se Dukagjini i Klinës. Prishtina e Dukagjini kanë nga 13 pikë, një më shumë se Ballkani, e dy më shumë se Drenica që zë vendin e katërt.


Baftiu shënon golin e dytë të Prishtinës

Blend Baftiu e ka dyfishuar rezultatin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Mesfushori me tipare sulmuese e realizoi golin për 2:0 në minutën e 68-të. 

Ai pranoi top të mirë në zonë nga Ardian Muja.


Rudaj përjashtohet nga loja

Qendërmbrojtësi Adrijan Rudaj e ka lënë Prishtinën e Re me një futbollist më pak në fushë. 
Ai është ndëshkuar direkt me karton të kuq nga gjyqtari Alban Shala. Shala e pa ndërhyrjen e rrezikshme të Rudajt në VAR, dhe në minutën e 52-të e përjashtoi atë nga loja.


Mbyllet pjesa e parë në “Fadil Vokrri”

Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes Prishtina – Prishtina e Re, që është dueli i fundit i xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll. 

Prishtina është duke fituar 1:0 me golin që e shënoi sulmuesi Mario Ilievski. 

Ai realizoi në minutën e 17-të, me asistim të Gjorgje Shaletiqit.


Prishtina po udhëheq ndaj Prishtinës së Re

Mario Ilievski e ka shënuar golin e epërsisë së Prishtinës 1:0 ndaj Prishtinës së Re. 

Sulmuesi i fitueses në fuqi të Kupës së Kosovës realizoi me kokë në minutën e 17-të. Ai iu përgjigj për mrekulli asistimit të Gjorgje Shaletiqit. 

Ndeshja po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe është e fundit e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll.