Çfarë shkoi keq në rastin “Leon Avdullahu?”
Pas një nisjeje të suksesshme të kualifikimeve për Kupën e Botës kundër Kosovës dhe Sllovenisë, Federata e Futbollit e Zvicrës po heton çështjen. Ish-mesfushori i Baselit, i cili ka nënshkruar kontratë me Hoffenheimin, duhej të kishte luajtur për Zvicrën në ndeshjen kundër Kosovës, jo kundër saj, nga perspektiva e Federatës së Futbollit të Zvicrës.
Por, pavarësisht mbi 20 ndeshjeve me të rinjtë e Zvicrës dhe një vizite të shkurtër në Hoffenheim nga presidenti i Federatës, Peter Knabel, përzgjedhësi Murat Yakin dhe ndihmësi i tij, Davide Calla, mesfushori i talentuar në fund zgjodhi Kosovën.
“Gabimi” me Avdullahun ndodhi rreth gjashtë vjet më parë, kur ai kaloi nga ekipi U15 në ekipin U16 të Baselit, por nuk u pranua në programin “Footuro” të Federatës Zvicerane të Futbollit.
Ndoshta gjërat do të kishin shkuar ndryshe për Avdullahun – ndoshta ai do të kishte zgjedhur Zvicrën.
Një lojtar i “Footuro” zgjidhet nga një panel ekspertësh i Federatës, si një nga pak talentet e jashtëzakonshme. Ata marrin mbështetje gjithëpërfshirëse. Programi “Footuro” zgjat rreth gjashtë vjet. Kjo do të thotë që Federata investon dhjetëra mijëra franga për supertalentet e saj çdo vit.
Ajo që pak njerëz e dinë është se Federata për të mbrojtur veten, gjithmonë u ka kërkuar lojtarëve të përzgjedhur në “Footuro” të nënshkruajnë një deklaratë me shkrim. Për më tepër, me firmën e tyre, ata premtojnë të mos luajnë për përfaqësuese tjetër gjatë fazës së programit “Footuro”.
Talenteve që shkelin marrëveshjen me Federatën do t’u kërkohet të paguajnë. Në këtë rast do të duhet të paguajnë një gjobë me pesë shifra.
Drejtori teknik i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Patrick Bruggmann, flet për programin.
“Gjoba synon të rikuperojë të paktën pjesërisht investimin e bërë në zhvillimin e një lojtari”, ka thënë Bruggmann.
Ai nuk pranoi të zbulonte se sa lojtarë të “Footuro” janë gjobitur për ndryshimin e përfaqësueses deri më tani. Ai tha vetëm se është një numër i vogël.
“Nuk është qëllimi që një lojtar të luajë për Zvicrën vetëm për shkak të kërcënimit të një gjobe. Ne duam që ata të identifikohen me vlerat tona - si në aspektin futbollistik ashtu edhe personal”.
Në këtë drejtim, Bruggmann tha se ka vend për përmirësim nga ana e Federatës.
“Duhet të pyesim veten se ‘si mund t’i identifikojmë të gjithë lojtarët e talentuar me potencial për ekipin përfaqësues të të rriturve sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i përfshijmë ata në programin ‘Footuro’”, është shprehur ai.
70 për qind e lojtarëve aktualë të përfaqësueses juniore të Zvicrës kanë shtetësi të dyfishtë. Të gjithë futbollistët e licencuar në Zvicër janë nga 197 vende.
“Realiteti kërkon që Federata të bëjë më shumë përpjekje për shtetasit e dyfishtë sesa për lojtarët që mbajnë vetëm pasaportë zvicerane”.
Federata e Futbollit e Zvicrës nuk ka burimet njerëzore dhe financiare për t’u kujdesur vazhdimisht për të gjithë talentet me shtetësi të dyfishtë, veçanërisht kur shumica e tyre janë jashtë programit “Footoro”.