Edhe lojtarët që janë 23-vjeçar mund të paraqiten në Kampionatin Evropian të grupmoshës U21.
Evropiani U21 është duke u zhvilluar në Sllovaki. Lojtarët më të vjetër se 21 vjet, disa prej tyre 23-vjeçar tashmë, mund të luajnë po ashtu. Kjo ndodh për shkak se rregullat e regjistrimit të futbollistëve janë i hartuar në mënyrë të tillë që ata të kenë të drejtë ta përfundojnë ciklin e plotë të turneut – që nga fillimi i kualifikimeve e deri në finale.
Kjo do të thotë se për turneun e vitit 2025, lojtarët mund të luajnë nëse janë të lindur më apo pas 1 janarit të vitit 2002. Kjo do të thotë se ata kanë qenë 21-vjeçar apo më të rinj në fillim të vitit kur kanë nisur kualifikimet.
Evropiani, i cili nisi të mërkurën, përbëhet me 16 përfaqësuese. Gjithsej janë 368 lojtarë.
Nga ata, 205 ishin 22 apo 23-vjeçar në ditën e parë të turneut – qe i bie të jetë 55.7 për qind e numrit të përgjithshëm të lojtarëve, shkruan BBC. 73 lojtarë ishin 23-vjeçar në ditën hapëse të turneut, apo 19.8 për qind.
Kampionia në fuqi, Anglia, e udhëhequr nga selektori Lee Carsley, është e vetmja përfaqësuese pa ndonjë 23-vjeçar në skuadër. Mesfushori Hayden Hackney do të jetë 23-vjeçar dy ditë para finales që luhet më 28 qershor.
Lojtarët në përfaqësuesen e Anglisë që janë mbi moshën 21-vjeçare janë kapiteni James McAtee i Manchester Cityt, Harvey Elliott i Liverpoolit dhe mbrojtësi i Newcastlet, Tino Livramento, që është i vetmi lojtar i skuadrës së Carsleyt që ka paraqitje në nivelin e seniorëve.
Të gjitha 16 perfaqesueset kanë së paku nga nëntë lojtarë që janë 22 apo 23-vjeçar. Skuadra e Gjeorgjisë i kishte 19 lojtarë që ishin 22 apo 23-vjeçar kur nisi turneu.
Lojtari më në moshë i këtij Evropiani është Million Manhoef i Stoke Cityt, që është në skuadrën e Holandës. Ai u lind më 3 janar të vitit 2002.
Rregulli që lojtarët nuk mund të jenë më të vjetër se 23 vjet e gjashtë muaj është i kahershëm.
Kur për herë të parë u organizua Evropiani U21 në vitin 1978 – pasi më herët ka qenë garë e grupmoshës U23 – secilit shtet i lejohej t’i kishte dy lojtarë më të vjetër se 21 vjeç.
Ish-Jugosllavia e kishte fituar turneun e vitit 1978, pasi ishte udhëhequr nga sulmuesi 26-vjeçar i asaj kohe, Vahid Halilhoxhiq, i cili realizoi katër herë në finalen me dy ndeshje ndaj Gjermanisë Lindore. Ai kishte realizuar “hat-trick” në ndeshjen e dytë dhe ishte zgjedhur si lojtari më i mirë i turneut.
Nga 26 lojtarët e ekipit senior të Anglisë të ftuar nga Thomas Tuchel për ndeshjet e këtij muaji kundër Andorrës dhe Senegalit, shtatë do të kishin të drejtë të luanin në Evropianin U21.
Këtu përfshihet edhe mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, i cili ka 43 paraqitje për Anglinë A. Ai do t’i mbushë 22 vjet një ditë pasi të përfundojë Evropiani U21.
Të drejtë pjesëmarrjeje në këtë Evropian kanë pasur edhe portieri i Burnleyt, James Trafford dhe treshja e Chelseat, Cole Palmer, Levi Colwill dhe Noni Madueke. Të gjithë ishin pjesë e Anglisë U21 në triumfin në “Euro 2023”.
Tinejxheri i Anglisë, 18-vjeçari Myles Lewis-Skelly, ishte më i riu në moshë në skuadrën e “Tre Luanëve” kundër Andorrës dhe Senegalit. Nëse do të ishte tek U21, do të ishte i dyti më i riu në moshë pas kolegut te “revolveristët”, Ethan Nwaneri.
Të drejtë loje në Evropianin U21 kishin edhe Jarrad Barnthwaite i Evertonit dhe Taylor Harwood-Bellis i Southamptonit.
Disa lojtarë e kanë humbur mundësinë të luajnë në këtë Evropian pasi do të luajnë me skuadrat e tyre në Kupën e Botës për Klube, përfshirë këtu Liam Delap, Jobe Bellingham, Rayan Cherki, Rico Lewis, Nico O’Reilly, Nico Gonzalez e Samu Aghehowa.