Pyetja kryesore, që e shoqëron Kupën e zgjeruar të Botës për Klube të organizuar nga FIFA është “pse?”.
Pse na duhet ky turne? Pse Federata Ndërkombëtare e Futbollit e shton në mënyrë të rrezikshme një ngjarje në kalendarin, tashmë shumë të ngarkuar. Dhe pse po e bën këtë më pak se një vit para Kupës së Botës në futboll.
Pyetja e fundit – pse tani? – është më e lehta për t’iu përgjigjur. Koha, kur fillon turneu ka të bëjë tërësisht me verën e ardhshme. Turneu hapet në natën mes të shtunës e së dielës (në orën 2:00 sipas kohës në Kosovë v.j.) me ndeshjen e skuadrës amerikane, Inter Miami, me atë nga Egjipti, Al Ahly.
Me 32 skuadra nga gjashtë konfederatat e FIFA-s, që luajnë turneun njëmujor në 12 vende në gjithë SHBA-në, Kupa e Botës për Klube është një lloj prove për Botërorin e vërtetë, që mbahet verën e vitit të ardhshëm.
“Nga një këndvështrim tërësisht operacional, kjo ngjarje është një lloj dhurate”, ka thënë Heimo Schirgi, drejtor i operacioneve për Kupën e Botës. “Ta nisësh një Kupë të Botës, pa një ngjarje testuese, është e vështirë. Të gjithë mezi presin të kthehen pas Kupës së Botës për Klube dhe të thonë ‘në rregull, kjo është ajo që mësuam. Kjo është ajo që duhet ta ndryshojmë. Me këtë mund të vazhdojmë’”.
Ende pa nisur Botërori i Klubeve, disa gjëra janë mësuar. Jo shumë pozitive, gjithsesi. Biletat po shiten ngadalë. Më pak se një e treta e 65 mijë biletave për ndeshjen hapëse ishin shitur 10 ditë para ndeshjes. Për këtë arsye FIFA filloi t’iu ofrojë studentëve të një kolegji lokal katër bileta falas, për çdo biletë 20 dollarëshe të blerë. Organizatorët, po ashtu, kanë përdorur çmime të lira për disa ndeshje, ndërsa kanë ndarë bileta falas për disa të tjera.
FIFA, gjithashtu, mësoi se përdorimi i agjentëve federalë të imigracionit për të ofruar siguri në një turne ndërkombëtar të futbollit, gjatë protestave mbarëkombëtare për arrestimet e imigracionit, ndoshta nuk ishte ide e mirë. Pasi Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së shkroi në mediat sociale se “ishte e përgatitur dhe e pajisur për të ofruar siguri gjatë ngjarjes”, FIFA i bëri thirrje agjencisë, që ta fshinte postimin.
Turneu i kësaj vere nuk pritej kurrë të ishte provë e përkryer për verën e ardhshme, pasi Kupa e Botës 2026 do të jetë ngjarja më e madhe dhe më komplekse sportive e organizuar ndonjëherë. 48 ekipe përfaqësuese do t’i luajnë 104 ndeshje në 16 qytete të ndryshme në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në Kupën e Botës për Klube janë 16 ekipe më pak, 41 ndeshje më pak, ndërsa do të përdoren vetëm pesë stadiume të Botërorit të përfaqësueseve, të gjithë në SHBA.
Turneu, megjithatë, mbetet më i madhi, më i pasuri dhe më ambiciozi i futbollit për klube në histori. Ndër të tjera, paraqiten edhe skuadrat e mëdha evropiane, si Real Madrid, Bayern, PSG, Manchester City, Juventus dhe Inter. Ka ekipe edhe nga pesë kontinente të tjera.
Se a do të jetë turneu tregim suksesi për atë që shfaqet në fushë, mbetet të shihet. Ligat më të pasura në botë, e njëkohësisht më të mirat, janë pesë ligat e mëdha evropiane, Premier League, Bundesliga, Serie A, La Lila dhe Ligue 1.
Ekipet më të mira nga këto liga paraqiten në Ligën e Kampionëve të UEFA-s, që rrjedhimisht janë favorite për Botërorin e klubeve.
Kupa e Botës për Klube është edhe përpjekje e FIFA-s për t’i marrë përsëri UEFA-s një pjesë të kësaj rëndësie, duke e krijuar kampionatin e saj për klube.
“Është turne serioz. Nuk bëhet fjalë për miqësore vere”, ka thënë Schirgi. “Në sportin tonë skuadrat autsajdere e kanë një shans të vërtetë. Nuk bëhet fjalë vetëm për PSG-në. Edhe klubet e tjera kanë çka të ofrojnë”.
Kupa e Botës për Klube ka histori të gjatë, por për herë të parë zhvillohet me kaq shumë skuadra. Ngjarja nisi në vitin 2000 me tetë skuadra. Nga viti 2005 e tutje nuk ka pasur më shumë se shtatë skuadra. Dhe për këtë, ngjarja përfundonte brenda dhjetë ditëve, gjatë pushimit në futbollin evropian.
Rritja e turneut e ka bërë të pamundur që Botërori i Klubeve të organizohet çdo vit. Planifikohet të mbahet çdo katër vjet. Dhe, nga një ngjarje e organizuar në një qytet të Arabisë Saudite, është ngjarje që organizohet në shumë qytete të SHBA-së. Nga shtatë ndeshje tani janë 63, ndërsa nga një jave e gjysmë ngjarja është rritur në një muaj. Në fazën e grupeve janë tri xhiro, e më pas janë katër raunde të eliminimit direkt, njëjtë si në Botërorin e ekipeve përfaqësuese.
Formati i ri nënkupton që finalistët do të luajnë nga shtatë ndeshje brenda 25 ditëve. Për ekipet në Afrikë, Evropë dhe Lindje të Mesme, lojtarët e të cilave në vitet e kaluara në këtë kohë fillonin pushimet gjashtëjavore, ngarkesa është e madhe. Real Madridi tashmë i ka luajtur 62 ndeshje në 43 javët e fundit. Këtu nuk llogariten ndeshjet, që lojtarët i kanë luajtur me përfaqësueset e tyre.
Pra, pse duhet të luhet?
Për të rinjtë është kompeticion prestigjioz. Triumfi do të ishte e arritur e madhe. Joshja financiare është, po ashtu, e rëndësishme. Fondi i përgjithshëm shpërblyes është 1 miliard dollarë. 16 milionë ishin gjithsej në Kupën e Botës për Klube të vitit 2023.
Një pjesë e konsiderueshme e fondit ndahet vetëm për pjesëmarrje. Ka para shtesë për çdo fitore e për çdo raund të kaluar. Klubi fitues mund të llogarisë në fitim prej 125 milionë dollarë.
Por, ka pyetje nëse kjo ia vlen për klubet, bazuar në ngarkesën e lojtarëve. Po ashtu, nëse ia vlen për FIFA-n. Kur të fillojë Botërori i vërtetë, shumë prej lojtarëve të rëndësishëm do t’i kenë 22 muaj pa periudhë të nevojshme pushimi. Kjo mund të ndikojë në cilësinë e lojës.
“Kalendari është i mbushur dhe ka mungesë të përgjithshme ekuilibri, që prek të gjithë të përfshirët”, ka thënë Giuseppe Marotta, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Interit. Kjo skuadër i ka luajtur plot 59 ndeshje që nga shtatori.
“Nevojitet një dialog serioz mes FIFA-s, UEFA-s, ligave, klubeve dhe lojtarëve për ta ridizajnuar një kalendar ndërkombëtar, që e mbron shëndetin e lojtarëve dhe e ruan cilësinë e lojërave”.
Ka edhe çështje të tjera.
Prandaj, pyetja pse po organizohet ky turne duket e drejtë.