Pas 106 ndeshjeve me Kroacinë, 438 paraqitjeve në La Liga, 97 në Bundesligë dhe 34 në Superligën e Zvicrës, Ivan Rakitiq i ka dhënë fund karrierës në moshën 37-vjeçare. Pensionimin nga futbolli, Rakitiq e bëri të ditur të hënën.
“Futboll i dashur. Ti ke qenë pjesë e jetës sime që nga fillimi. Nga fushat në Mohlin deri te stadiumet më të mëdha të botës – t’i ishte gjithmonë aty”, shkroi Rakitiq në letrën e publikuar në rrjetet sociale. “Baseli ma dha rastin e parë. Isha vetëm një fëmijë, por më bëri të besoja se çdo gjë ishte e mundur”.
Pasi fitoi Kupën e Zvicrës me Baselin në vitin 2007, Rakitiqi u transferua te Schalke 04. Ai bëri 135 paraqitje zyrtare për klubin dhe fitoi Kupën e Gjermanisë në vitin 2011, trofeu më i madh i Schalkes deri tash.
“Ishte hera e parë që isha larg shtëpisë dhe mësova të përballesha me sfida të reja, kultura të reja dhe mësime të reja”, ka vazhduar Rakitiq në letrën lamtumirëse.
Në verën e vitit 2011, lojtari kroat i lindur në Mohlin të Zvicrës, u transferua në Spanjë. E fitoi Ligën e Evropës me Sevillan.
“Më dhe shumë më tepër – më dhe një shtëpi. Pata nderin të isha kapiten, të fitoja trofeun tim të parë evropian. Dhe më e rëndësishmja, aty takova të dashurën e jetës sime. Falë teje, gjeta partneren time, nënën e vajzave të mia. Krijova familjen time”.
Në vitin 2014, Rakitiq u transferua te Barcelona ku “luajti përkrah më të mirëve, fitoi trofe dhe përjetoi netët magjike në ‘Camp Nou’”.
Me Barçën fitoi katër tituj të kampionit, katër Kupa të Mbretit dhe një herë Ligën e Kampionëve.
Pas periudhës në Sevilla dhe Al Shabab, Rakitiq, kaloi te Hajduku i Splitit në Kroaci verën e kaluar.
Një e arritur e madhe e Rakitiqit lidhet me përfaqësuesen kroate. Ai arriti në finalen e Kupës së Botës me Kroacinë në vitin 2018.
“Për një vend të vogël si i yni, arritja në finalen e Kupës së Botës ishte më shumë sesa një arritje sportive. Ishte një moment i përjetshëm, një dhuratë për një komb të tërë. Futboll, më ke dhënë më shumë sesa kam guxuar të ëndërroj. Tani është koha të them lamtumirë. Sepse edhe nëse të lë, e di që ti nuk do të më lësh kurrë. Faleminderit futboll. Për gjithçka”, përfundon letrën e yllit kroat.