Futboll

Ramadani flet për barazimin dhe gjendjen e Veton Tushës

Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është i kënaqur me pikën e fituar ndaj KuPS-it. Ai ka thënë se ekipi i tij ka mundur të kthehet në Kosovë me pikët e plota. Ndeshja KuPS- Drita përfundoi baras 1:1. U zhvillua në Tempere të Finlandës dhe i takoi xhiros së parë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

“Jemi të kënaqur me një pikë. Kjo ndoshta nuk do të vlej për tabelë por psikologjikisht do të ketë rol të rëndësishëm, sepse po kthehemi të pamposhtur nga ky udhëtim dhe kjo do të thotë shumë për lojtarët në aspektin moral. Por shpresoj të jemi më të mirë në ndeshjet e radhës”, ka thënë Ramadani në konferencën për media. “Me karakterin që kam nuk ia lejoj lojtarëve ta mendojnë se jemi inferior. Nëse luajmë thjesht dhe me guxim, do të jemi më të rrezikshëm për çdo kundërshtar. Nuk e ndjej veten e po ashtu as ekipin tim nuk e lejoj ta ndjej veten inferior ndaj asnjë kundëeshtari”.

Ai ka theksuar se ndeshja ndaj KuPS-it i takon tashmë së kaluarës. Fokusin thotë se e ka në derbin kundër Gjilanit të hënën.

“Për momentin sonte përfundon kjo ndeshje dhe do të kemi përkushtimin maksimalisht në derbin që do ta zhvillojmë të hënën”, është shprehur Ramadani.

Ai ka folur edhe për gjendjen shëndetësore të Veton Tushës. Ai u largua me barelë nga fusha shkaku lëndimit në minutën e 29-të.

“Lëndimi i Vetonit na mërziti shumë. Edhe në janar ishte në spital. Vetoni është dërguar në spital. Kemi një mjek atje, por nga informatat e para që kam, ai është në vetëdije, është në gjendje stabile. Ai flet, nuk ka humbur vetëdijen. Ka dhimbje pak, por presim rezultate dhe do të shkojmë ta vizitojmë në spital sapo të largohemi nga këtu”, ka thënë Ramadani.

Lexo përditësimet tjera
Drita Kups

Drita merr pikë në ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka debutuar me barazim në fazën e ligës në Ligën...