Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë në konferencën për shtyp të enjten pas eliminimit nga Liga e Konferencës, se është krenar që e drejton Dritën dhe futbollistët e skuadrës gjilanase.
Ai theksoi se kanë bërë çdo gjë për të avancuar në një të tetën e finales. Ndeshjen që përfundoi 3:2 në të mirë të Celjes, tekniku shkupjan e vlerësoi “të çmendur”.
“Një ndeshje e çmendur. Ndeshje që dha pesë gola siç ishte në Prishtinë. Më vjen keq që u eliminuam nga kjo garë. Por nga ana tjetër jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i këtyre futbollistëve me karakter kampioni, me zemër të madhe, me guxim të madh. Edhe sonte e treguan atë që jo rastësisht Drita ka ardhur deri këtu. Me punë, me angazhim, me besim, jemi këtu ku jemi. Vetëm mund t’i përgëzoj futbollistët e mi për lojën e treguar, për atë që kemi bërë deri më sot. Më meritorët janë ata. Djersa e tyre, mundi i tyre, angazhimi i tyre, sakrifica e tyre, bëri që ne të shkruajmë historinë në futbollin kosovar. Dua t’i falënderoj edhe tifozët tanë që erdhën nga Evropa për ta mbështetur ekipin tonë. Besoj se janë ndarë të kënaqur me lojën, por jo me rezultatin, siç nuk jemi të kënaqur edhe ne”, tha Ramadani.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi shtoi se rrugëtimi i Dritës i nisur vitin e kaluar ka qenë maratonik e me plot emocione.
“Ka qenë një rrugëtim maratonik, që nga korriku deri më sot. Kemi pasur pushim që mund t’i numërosh në gishta. Nuk kemi pasur pushim fare, duke u munduar të jemi sa më të përgatitur. Një rrugëtim me mjaftë emocion, me shumë lodhje, por me shumë kënaqësi. Një rrugëtim që sot mburremi që e kemi bërë. Nëse do të ishte ndryshe, me rezultate negative, nuk do të sillnim futboll ndërkombëtar në muajin shkurt në Kosovë. Por, me guximin që e ka ekipi, me kualitetin, ne edhe në pranverë sollëm futboll ndërkombëtar. Kjo duhet të jetë shembull. Edhe mbrëmë thash që ky sukses nuk dua që të mbahet mend shumë gjatë. Por, dua sa më shpejtë të harrohet dhe të arrihet sukses edhe më i madh, qoftë nga ne por edhe nga dikush tjetër. U dëshiroj më të mirën, atë që dëshiroj për vete, edhe skuadrave të tjera, për të arritur në këtë nivel dhe për të arritur në këtë nivel. Kjo është me rëndësi”, shtoi tutje 48-vjeçari Ramadani.
Ai tutje foli edhe për eksperiencën në skuadër. Tha se ka qenë vendimtare në këtë eliminim.
“Problemi kryesor ishte te eksperienca. Ekipi kundërshtar vitin e kaluar u eliminua në çerkefinale. Para disa muajve ka mundur Luganon me 5:0 dhe pas fjalëve të kundërshtarëve të sotëm, asnjë ekip nuk i ka dominuar siç ka dominuar Drita në Celje në pjesën e dytë. Nuk mund të them se çaloj mesfusha apo jo pa e bërë analizën. Nuk i pranuam golat nga gabimet në mesfushë. Ato erdhën përsëri nga goditjet standarde të cilat i kemi punuar. Një element që e ka kundërshtari ose një armë më të fortë, arriti ta shfrytëzojë, si e shfrytëzoi edhe në Prishtinë dhe e humbëm takimin”, tha Ramadani.
Ai e mbylli konferencën për shtyp pas ndeshjes duke thënë se ai dhe skuadra e Dritës do ta kërkojë sërish këtë fazë të garës, por në Ligën e Evropës.
“E kam përjetuar ëndrrën time për të qenë një trajner i një skuadre që garon në Ligën e Konferencës apo Ligën e Evropës. Dhe jam i përmbushur deri më sot. Por, ia kam dhënë vetes një obligim që asnjëherë nuk dua të garoj me askënd tjetër përveçse me vetveten. Dhe nuk dua asnjëherë t’i them vetes mjaftë, kaq ishte se kjo mjafton. Nuk mjafton kurrë. Jam i bindur që mundemi, këtë e kërkoj edhe nga futbollistët. Mundemi, e kemi patjetër, detyrim, për ta vazhduar më tepër dhe për të qenë në garë me vetveten. Nëse kemi ardhur deri këtu ku ishim sot, vitin tjetër, nëse vijmë deri këtu, do të jetë në Ligën e Evropës, të mos jetë në Ligën e Konferencës. Nëse nuk arrijmë të bëjmë progres një hap, të paktën ta mbajmë atë që e kemi arritur vitin e kaluar. Kjo është motoja ime dhe për mua dhe për futbollistët e mi”, theksoi Ramadani.