Sulmuesi brazilian, Raphinha, pas finales së Superkupës së Spanjës ka folur për lidhjen e ngushtë që e ka me trajnerin gjerman, Hansi Flick.
Raphinha shpërtheu me dy gola të dielën në fitoren 3:2 të Barçës ndaj Real Madridit.
Ylli brazilian ka zbuluar se pas ardhjes së Flickut në krye të gjigantit katalunjas kanë ndryshuar shumë gjëra. Ai tha se ishte shumë pranë largimit nga Barça, para ardhjes së gjermanit.
“Nëse Hansi Flick nuk do të kishte ardhur, unë do të isha larguar nga Barça. Por Flick më telefonoi dhe më tha se kisha mbështetjen e tij. Një veprim i thjeshtë, por vendimtar për një futbollist që kishte nevojë të ndihej i rëndësishëm”, u shpreh Raphinha, shkruajnë të hënën mediumet spanjolle.
29-vjeçari është shumë i rëndësishëm për klubin e madh spanjoll.
Këtë edicion në të gjitha garat në 17 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 11 gola dhe ka bërë katër asistime.
Ai te Barça u transferua në vitin 2022, kurse kontrata i përfundon në vitin 2028.