Futboll

Reagon Nevil Dede

Nevil Dede

Trajneri i Ferizajt, Nevil Dede, ka dalë me një reagim pas humbjes 1:0 nga Prishtina e Re 1:0 të dielën në Hajvali. Ai thotë se ekipi tij është dëmtuar në disa raste. Por pranon se reagimet ndaj vendimeve ishin “emocional”.

“Sot, në ndeshjen kundër Prishtina e Re, reagimi im ishte emocional. Në tri situata të qarta, sipas vlerësimit tim teknik, kundërshtari duhej të ndëshkohej me karton të verdhë dhe në një rast me të kuq. Plus perspektiva e shume aksioneve premtuese për ne. Kur kjo nuk ndodhi, ndjeva se trajtimi ndaj ekipit tim ishte i pabarabartë.

Nxjerrja e pasaportës dhe deklarata ‘jam shqiptar’ ishte një reagim spontan, i lindur nga ndjenja se vendimet po na penalizonin në mënyrë të padrejtë. Nuk ishte një akt përçarës, as provokim politik. Ishte një reagim i një trajneri që ndjeu padrejtësi”, shkruan në fillim të reagimit.

Ai ka shtuar po ashtu se “nëse forma e reagimit tim ka shkelur rregulloren apo është interpretuar si e papërshtatshme, e pranoj përgjegjësinë për mënyrën se si reagova”.

Trajneri Dede ka kërkuar trajtim korrekt dhe drejtësi sportive.

“Emocioni i ndeshjes nuk duhet të tejkalojë kornizën disiplinore. Por dua të jem shumë i qartë: Si trajner FC Ferizaj kërkoj vetëm barazi dhe drejtësi sportive. Nëse ka elementë që perceptohen si diskriminues apo tendenciozë, ato duhet të hetohen institucionalisht, por jo të injorohen. Sa i përket kartonit të dytë për pozicionimin tim, dua të theksoj se fusha nuk kishte vijëzim të qartë të zonës teknike, çka krijoi paqartësi mbi kufizimin hapësinor. Nuk pati mosbindje me qëllim, por situatë të paqartë në organizim”, shkruan Dede.