Vinicius Junior shënoi gol dhe asistoi në një tjetër në fitoren 3:0 të Real Madridit ndaj Salzburgut në ndeshjen e zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.
Me këtë fitore, Real Madridi e siguroi vendin e parë në Grupin H të Kupës së Botës për Klube, dhe ka avancuar në mesin e 16 skuadrave më të mira të turneut që po organizohet në SHBA.
Sulmuesi brazilian e hapi serinë e golave në minutën e 40-të, në ndeshjen e zhvilluar në “Lincoln Financial Field” në Philadelphia, para 64 mijë e 811 shikuesve.
Tetë minuta më vonë, Viniciusi asistoi për Federico Valverden, që shënoi për 2:0.
Antonio Rudiger pësoi lëndim muskulor në minutën e 60-të, ndërsa u zëvendësua gjashtë minuta më vonë.
Megjithatë, Reali vazhdoi lojën e mirë dhe e shënoi edhe golin e tretë. Gjashtë minuta para fundit, Gonzalo Garcia shënoi për 3:0.
Me këtë fitore, Real Madridi u bë skuadra e nëntë evorpiane që avancon në fazën nokaut. Nga 12 ekipet evropiane në turne, vetëm Atletico Madridi, Porto dhe Salzburgu, janë eliminuar nga faza grupore.
Si fitues i Grupit H me shtatë pikë, Real Madridi do të luajë kundër Juventusit.
Salzburgu e mbylli turneun me katër pikë në vendin e tretë.