(Kicker) – Kur Kairat Almaty bëri mrekulli të martën mbrëma duke e mposhtur klubin tradicional skocez, Celtic, 3:2 në penallti, logoja e Ligës së Kampionëve shkëlqeu mbi qytetin me miliona banorë. Me mbi dy milionë banorë, Almaty është qyteti më i madh i Kazakistanit dhe ndodhet në juglindje të vendit të Azisë Qendrore. Vetëm rreth 15 për qind e territorit të Kazakistanit është në Evropë.
Pas fitores, stemat e kampionit të Kazakistanit dhe Ligës së Kampionëve janë shfaqur në kullën televizive 371 metra të lartë.
“Kemi arritur diçka të jashtëzakonshme dhe tani do të bëhemi gati për disa udhëtime shumë interesante”, ka thënë trajneri Rafael Urasbachtin pas festës në dhomën e zhveshjes.
Dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kampionëve mes Celticut dhe Kairatit përfunduan pa gola. Në penallti, në ndeshjen e së martës në Almaty, para 22 mijë shikuesve, Kairati fitoi 3:2. Kështu skuadra nga Kazakistani u kualifikua për fazën e ligës në Champions, ndërsa Celticu vazhdon në Ligën e Evropës.
Gjithsesi shumë prej klubeve të mëdha evropiane do të jenë më pak të entuziazmuara lidhur me udhëtimet e ardhshme në Kazakistan. Kairati është pa asnjë konkurrencë pjesëmarrësi më lindor në histori të Ligës së Kampionëve. Nga Munihu, për shembull, Almaty është larg plot 4950 kilometra. Për krahasim, Almaty është vetëm 300 kilometra larg nga Kina.
Celtic Glasgow u detyrua të udhëtojë plot 5666 kilometra për ndeshjen e së martës. Nëse Sportingu do të caktohet kundërshtar i Kairatit në shortin e së enjtes, rekordi për udhëtimin më të gjatë do të thyhet. Prej Portugalisë ky qytet i Kazakistanit është plot 6907 kilometra larg.
Rekordi aktual i Ligës së Kampionëve për udhëtimin më të gjatë, ku llogariten 2015 ndeshje të fazës grupore, është ai për ndeshjet mes Benficas dhe Astanas, klubit tjetër nga Kazakistani. 6165 kilometra kanë bërë këto dy skuadra në një drejtim. Për më tepër, ndeshjet prej orës 6:45 duken opsioni i vetëm i mundshëm, pasi Almaty është tri orë përpara. Nëse ndeshjet do të luheshin në termin të zakonshëm të Championsit, do të nënkuptonte se në Kazakistan të fillonin prej orës 24:00.
Gjeografikisht Kazakistani i takon Azisë, me vetëm një pjesë të vogël të shtrirë në kontinentin evropian. Federata e Futbollit e Kazakistanit fillimisht ishte pjesë e Konfederatës së Futbollit të Azisë, por në vitin 2002 u zhvendos në UEFA.
Dhe në garat e UEFA-s klubet nga Kazakistani befasojnë herë pas here klubet më të mëdha evropiane.
Për shembull Kairati nisi në raundin e parë kualifikues të Championsit dhe tani i pret kundërshtarët e fazës së ligës. Fillimisht e eliminoi Olimpija Lubjanën e Sllovenisë, më pas KuPS-in e Finlandës e në raundin e tretë Slovan Bratislavan e Sllovakisë. Dhe në plejof e ndali edhe gjigantin skocez.
Për të gjetur Almatyn në ranglistën e UEFA-s duhet të kërkohet gjatë. Kjo skuadër është e 315-ta, në mes të Liepajas së Letonisë dhe Oleksandrias së Ukrainës. Por me pjesëmarrje në fazën e ligës në Champions, pozita e kësaj skuadre do të përmirësohet ndjeshëm.