Nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, Ballkani shkroi histori. Fitoi tre tituj rresht dhe një Kupë të Kosovës.
Për më tepër, Ballkani u bë skuadra e parë nga Kosova që u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Këtë e arriti dy herë.
Por pas largimit të Dajës më 1 shtator, ekipi nga Suhareka pësoi rënie sa u takon rezultateve.
Rënia e Ballkanit u konfirmua të mërkurën me eliminim nga Kupa e Kosovës. Suharekasit u ndalën në raundin e dytë të Kupës, nga skuadra e Ligës së Parë, Rilindja 1974. Ballkani u eliminua pas ekzekutimit të penalltive, 10:9, ndërsa ka mbetur prapa në garën për ta mbrojtur titullin e kampionit. Është në vendin e tretë me 26 pikë nga 15 ndeshje të zhvilluara. Është tetë pikë prapa lideres, Dritës.
Eliminimi nga Kupa dhe rezultatet në kampionat kanë bërë që trajneri Artim Pollozhani të japë dorëheqje.
Pollozhani e zëvendësoi Ilir Dajën në postin e trajnerit, kurse më herët ka qenë ndihmës i tij.
“Meqenëse rezultatet e fundit nuk përkojnë aspak me objektivat e klubit, Artim Pollozhani ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit, menjëherë pas humbjes së sotme. Duke i uruar Pollozhanit suksese, klubi e ka pranuar dorëheqjen e tij, ndërsa gjatë ditëve vijuese do të ju njoftojmë për timonierin që do të vijë në krye të skuadrës”, shkruan në njoftimin e Ballkanit.
Ballkani në fundjavë humbi derbin nga Drita, 3:2, në Suharekë, ndërsa barazoi 1:1 me Prishtinën në xhiron e 14-të.
Krahas titujve dhe Kupës, Ballkani me Dajën në krye fitoi edhe Superkupën.
Ai vlerësohet shumë meritor për ngritjen e futbollit kosovar në përgjithësi e të Ballkanit në veçanti.
Ballkani gjatë periudhës sa Daja ishte në krye, ia doli të shesë lojtarë të shumtë, ndërsa ka zbuluar edhe shumë të tjerë. Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Meriton Korenica, Lumbardh Dellova, Qëndrim Zyba, Albin Berisha janë prej lojtarëve që janë rritur ndjeshëm nën drejtimin e Dajës e tashmë janë pjesë e klubeve evropiane.
Lindon Emërllahu, që është reprezentues i Kosovës, vlerësohet tjetër zbulim i Ilir Dajës.
Largimet e shumta gjatë verës janë tjetër arsye për rënien e Ballkanit.
58-vjeçari ka pasur karrierë të suksesshme në Shqipëri, por te asnjë skuadër nuk e kishte ndikim kaq të madh sa te Ballkani.
Ballkani gjatë verës mbeti pa shumë lojtarë titullarë. Nuk ia doli të paraqitet me sukses në kualifikimet e Ligës së Kampionëve e më pas në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Dhe erdhi koha për ndarje me trajnerin që solli suksese historike.
Koha te Ballkani është për një tjetër trajner nga Shqipëria.
Orges Shehi pritet të jetë trajner i ri i Ballkanit. Në Shqipëri kanë raportuar se Shehi do ta zëvendësojë Artim Pollozhanin.
“Orges Shehi do të jetë trajneri i ri i Ballkanit në Kosovë. Trajneri durrsak është i njohur për sukseset e arritura te skuadra e Tiranës, por ka drejtuar edhe Skënderbeun, Kukësin dhe Partizanin. Ai pritet të zyrtarizohet në stolin e kampionëve të Kosovës”, shkruan “Top-Channel” të mërkurën.
Vetë trajneri Shehi për KOHËN ka konfirmuar bisedimet me klubin suharekas. “Jam në bisedime”, ka thënë shkurt Shehi.
Shehi mund të debutojë në fundjavë. Ballkani e luan në udhëtim ndaj Ferizajt ndeshjen e javës së 16-të të Superligës së Kosovës.