Suedia i nisi kualifikimet për Kupën e Botës 2026 me barazimin 2:2 me Slloveninë dhe humbjen 2:0 nga Kosova.
Përzgjedhësi i Suedisë, danezi Jon Dahl Tomasson, u përball me kritika të ashpra, veçanërisht pas humbjes nga Kosova.
Në një intervistë për “STV Sport”, të publikuar të martën, Tomasson shpjegoi se çfarë shkoi keq dy javë më parë.
“Nuk luajtëm si Suedia, nuk ndoqëm parimet tona. Nuk luajtëm ashtu siç kemi stërvitur. Në fakt, është mjaft e thjeshtë, nuk dukeshim si Suedia. Kjo është arsyeja pse nuk luajtëm mirë, nuk përballuam Kosovën”, ka thënë Tomasson.
“Nuk luajtëm shpejt, luajtëm ngadalë, patëm shumë prekje të topit”.
Një pjesë e kritikave ishin për mënyrën e lojës një kundër një dhe që Suedia bën presion shumë lart në fushë.
“Lojtarët duan të luajnë në këtë mënyrë. Po përpiqem të krijoj një mënyrë moderne dhe ofensive, të cilën lojtarët e duan. Sigurisht që nuk e bëmë këtë herën e fundit, por e kemi treguar shumë herë më parë. Mendoj se kishim tetë fitore në dhjetë ndeshje para kësaj disfate”, ka thënë Tomasson.
Danezi i njohur është autokritik. Mori përgjegjësinë.
“Nuk kam qenë mjaftueshëm i mirë në dhënien e informacionit për lojtarët, nuk bëmë atë për të cilën folëm, nuk bëmë atë që stërvitëm, kështu që duhet të jem më i qartë në të ardhmen”, është shprehur Tomasson.
49-vjeçari thekson se Suedia ka pasur rezultate të mira para dy ndeshjeve të para kualifikuese për Kupën e Botës.
“Mendoj se duhet të ndalemi këtu dhe të ndajmë ndeshjet. Ndaj Sllovenisë ishte një ndeshje shumë e mirë. E dimë si pësuam gola dhe menjëherë pas pjesës së parë kemi folur për këtë dhe nuk do të ndodhë përsëri. Pësuam gola në fund, por luajtëm një ndeshje shumë të mirë kundër Sllovenisë, të cilën nuk duhet ta harrojmë. Sllovenët nuk humbën në Evropian, humbën vetëm me penallti, dhe ne nuk ishim as në Evropian”, është shprehur selektori i Suedisë.
“Ndaj Kosovës ishte një ndeshje e tmerrshme, nuk ishte aspak e mirë dhe jemi shumë të zhgënjyer. Por e kemi treguar shumë herë se mund të kthehemi”.
Pas dy xhirove, Zvicra kryeson grupin me gjashtë pikë. Kosova është e dyta me tri pikë. Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.
Tomasson ka besim tek ekipi i tij.
“Futbolli është gjithmonë presion. Unë e dua presionin, është pjesë e energjisë. Më jep energji të mirë. Dhe besoj se çdokush që ka qenë pjesë e ambientit elitar, nuk mund të jetojë pa presion. Është gjë e përkryer të kesh presion, në fitore apo humbje. Natyrisht se është më mirë të fitosh ndeshje, por ndoshta kur fiton ndeshje nuk je më i miri në botë dhe kur humb ndeshje nuk je më i dobëti në botë. Për këtë arsye duhen qetësia, fokusi në rrugëtim dhe mbështetja në fakte”, thotë ai.
Suedia do të përballet me Kosovën më 13 tetor në Goteborg. Tri ditë më herët në Solna, Suedia luan kundër Zvicrës.
Tomasson thotë se ka planin se si t’i fitojnë ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Kosovës.
“Kam shumë besim, natyrisht. E kemi një plan, nuk bëjmë panik. Shikojmë përpara dhe këtë e kanë treguar të gjithë pas humbjes nga Kosova. E kemi hedhur në mbeturina atë ditë menjëherë dhe kemi vazhduar tutje”, ka thënë Tomasson.