Futboll

Selektori serb sërish për ndeshjen në Tiranë: Ambient jug-amerikan, për herë të parë nuk e kam dëgjuar himnin

Dragan Stojkoviq

Dragan Stojkoviq

Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq ka folur sërish për ndeshjen e së shtunës ndaj Shqipërisë në Tiranë.

Stojkoviqi është “sulmuar” në Serbi pasi e përshkroi atmosferën në “Air Albania” si fantastike. Më herët të hënë Federata serbe ka sqaruar deklaratën e Stojkoviqit, ndërsa ai është pyetur për “atmosferën fantastike” edhe në konferencën para ndeshjes me Andorrën.

“E kam pasur fjalën për ambientin futbollistik, vetëm për atë futbollistik. Flas me fjalor të futbollit dhe shfrytëzoj terminologji të futbollit. Ajo që ndodhi në terren ishte vetëm për respekt. Dy bankinat për gjithë respektin. Natyrisht se gjithnjë do të kundërshtoj gjërat jofutbollistike. Ne nuk mund të ndikojmë në ato. Ka instanca që merren me ato gjëra. Ata do të marrin dënim, por nuk do t’i dënojmë ne. Ishte ambient i vërtetë jug-amerikan. Nuk ishit atje, e keni parë përmes televizionit. Secili do të dëshironte atmosferë të tillë. Për herë të parë ka ndodhur që nuk e kam dëgjuar himnin. Imagjinoni atë shpërthim mospajtimi dhe fishkëllimash”, ka thënë Stojkoviq të hënën pasdite.

Ai ka theksuar se e kanë kënduar himnin me krenari. Ai është i kënaqur me pritjen që i është bërë përfaqësueses serbe në Tiranë.

“A mendoni vërtetë që do të na presin me duartrokitje. Sjellja e tyre është sjellje e tyre. Unë nuk jam politikan, nuk e përdori atë fjalor. Kujdesem shumë se çka flas. Kam komentuar ambientin në stadium. E sqaroj, që mos të kem nevojë që dikujt t’ia dëshmoi serbizimin tim. E dua Serbinë time dhe dua që ta bëj kampione. Ky është misioni im. Mikëpritja fenomenale, organizimi fenomenal. Asnjë problem. Besoj se do t’ua kthejmë njëjtë. Shikone derbin Boca – River dhe e keni të qartë për çka flas”, ka shtuar Stojkoviq.

Boca Juniors – River Plate është derbi argjentinas, i vlerësuar prej më të zjarrtëve në botë. Njihet si “superclasico”.